Nga Artur Ajazi
Protesta e të shtunës e PD-së dhe LSI-së kundër “qeverisjes së korruptuar, kundër narkotrafikantëve, kundër shkeljes së Kushtetutës, dhe zgjedhjes së Kryeprokurores së Përgjithshme” përpos faktit që ka nxjerrë zbuluar opozitën që proteston për të njëjtat arsye siç bëri kundër reformës në drejtësi, ka nxjerrë (veç Lulit) më shumë se kurrë zbuluar Monika Kryemadhin. Kryetarja e partisë familjare LSI, ka qenë dhe mbetet edhe sot pa asnjë dyshim partia me hipokrite, më e pabesueshme, më e padrejtueshme, më e braktisur në vend. Këtë e vërteton vetë Monika dhe LSI, partia e cila deri para pak vitesh, dilte në protestat e PS-së duke kërkuar rrëzimin e “mikut” Berisha, duke vërtetuar plotësisht shprehjen e Metës se “ si iku shiu, të iki edhe Saliu”.
Këtë shprehje Iliri dhe Monika, e thoshnin vazhdimisht para vitit 2009, pasi me koalicionin e pas 2009, zoti Berisha u bë “miku Berisha” për Monikën e Ilirin, duke qeverisur dhe duke patur pushtet të shumtë për 4 vjet rresht. Për Monikën dhe Ilirin e LSI, për 4 vjet Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ishin “burra të mirë, miq të mirë”, dhe “bashkëpunëtorë të mirë”. Por nga momenti që “miku” Berisha iku nga pushteti dhe pushteti kaloi te Edi Rama, shoqja Monika e fshiu fjalën “miku” për Berishën e Bashën, dhe u bë mjaltë me Edi Ramën. Për plot 4 vjet me rresht deri në 2017, LSI, partia në pushtet e quajti kryeministrin Rama “mik” dhe Partinë Socialiste “parti të mirë” dhe bashkëpunuese.
Por vitet kaluan, dhe hipokrizia natyrisht nuk jeton gjatë, ndaj dhe Rama e pa të udhës ti largonte nga timoni, duke i nxjerrë në opozitë, gjë e cila siç po duket, do të zgjasë shumë vite. Pa mbushur mirë muajin në opozitë, Monika, edhe “mikun Rama” e zëvëndësoi me “krimineli Rama” dhe PS e quajti “parti e keqe”. Kjo sjellje hipokrite, është në natyrën e lidershipit të një partie e cila u krijua nga hipokrizia. Sipas tyre duhet shpallur “armik dhe kriminel” herë njëri dhe herë tjetrin, sipas interesit të pushtetit, duke nxjerrë në dritën e diellit faktin se LSI nuk qan hallin e “popullit”, por të pushtetit të humbur, pa të cilin nuk bën dot as hapin më të vogël.
Por duket se më e keqja nuk është fakti se Monika ra nga pushteti, por është fakti se si LSI, kjo parti e rrënuar vazhdon i trajton shqiptarët si bagëti (duke kopjuar në këtë rast Lulzim Bashën e PD) a thua se nuk e kuptojnë shqiptarët se gjithçka bëhet për të mbrojtur bizneset e shumta dhe milionat e eurove që kanë fituar në vitet e pushtetit, se gjithçka bëhet për të kapur shansin e vetëm për “rikthimin në karriget e humbura”.
Por pavarsisht kësaj, natyrshëm lind pyetja përse më shumë bërtet Monika se Luli në ekrane, përse më tepër po investon në gjithçka Monika se Luli, përse më shumë autobuzë kërkon dhe pronoton Monika se Luli, përse më e trembur është nga Vettingu dhe reforma në drejtësi Monika se Luli, përse kryeministrin Rama e paralajmeron dhe kërcënon më shumë Monika se Luli, se përse më e trazuar duket Monika se Luli për fatin e protestës dhe atë çfarë mund të ndodhë pas 27 janarit ? Të gjitha pyetjet e kanë përgjigjen brënda, dhe përgjigjen e tyre e dinë shqiptarët që në 27 vjet, e provuan dhe njohën nga afër qeverisjen e çdo partie politike, duke mos përjashtuar edhe qeverisjen e Ilirit dhe Monikës. Bërtitjet dhe
paralajmerimet e Monikës para protestës, më tepër ngjajnë me dëshpërimin e thellë të saj se me “kushtrimin” që i jep çdo shqiptari. Dëshpërimi lidhet me mungesën e pushtetit, me mungesën e burimeve dhe fitimeve prej pushtetit, lidhet me frikën ndaj reformës në organet e drejtësisë, ndaj Vettingut, ndaj qëndrimit të gjatë në opozitë, dhe mbi të gjitha ndaj rrudhjes së partisë saj, e cila pas 27 janarit dhe deri në zgjedhjet e 2021, padyshim do të ketë mbetur me vetëm dhjetra anëtarë.