Nga Alba Malltezi
Që një vend të ketë një shtet, një shoqëri e tërë duhet ta dëshirojë atë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë superfuqi sepse bijtë e dhjetëra nacionaliteteve të ndryshme, që atë e popullojnë ëndërruan të bëhej vendi më i qytetëruar, i drejtë e i mirë. Amerikanët kishin një ëndërr dhe luftuan ta realizonin atë. Gjermanët bënë Gjermaninë, pasi kuptuan e përbuzën deri në dhimbje atë që Hitleri e hitlerianët bënë. Italianët u vranë për të luftuar Mafien dhe përditë e më shumë luftojnë të kapërcejnë kriza, gjendje të papëlqyeshme ku herë pas here bien si shoqëri. Greqia “prodhoi” Tsipras-in, Kosova Albin Kurtin, po ne çfarë po prodhojmë?
Një elitë të mërzitur me Edi Ramën, pasi ai, ndryshe nga Berisha më parë, nuk i sajdis siç ata do të donin apo kanë pritshmëritë të sajdisen nëpër sallonët e pushtetit ekonomik e politik e mesa duket njerëzit këtë e perceptojnë, e kuptojnë. Në shkrimet e deklarat e tyre është fare e lexueshme ajo që ata nuk arrijnë dhe si fëmijë flasin kapriçozë, pa argumente e fakte, që nuk justifikojnë atë që ata nxijnë.
Shumë turfullojnë e mallkojnë: Shqiptarët nuk ngrihen, shqiptarët nuk duan t’ja dinë, shqiptarët janë kot. Shqiptarët flasin vetëm në FB dhe nëpër kafene, shqiptarët nuk veprojnë. Asnjë nga mendimtarët e politikës në opozitë, të medias, artit apo shoqërisë civile nuk mendon: Po përse shqiptarët nuk na ndjekin në asnjë kauzë që hedhim në treg dhe e shesim si skandalin më të madh? Përse, veç tubimeve politike me pagesë apo premtimin se kur merret pushteti, përkushtimi shpërblehet, çdo lëvizje tjetër shuhet si flaka e dobët në një fije kashte?
Mesa duket, edhe shqiptarët, si italianët, si gjermanët e çdo popull tjetër, veprojnë nëse si ndriçues kanë njerëz që i bëjnë vërtetë të ëndërrojnë e të ndryshojnë për mirë. Mesa duket, ata shqiptarë që s’ndjehen mirë po presin të dalë Grillo ynë i radhës, që për vite e vite të tëra nuk ka folur e shkruar, si këta tanët, për mllefe e inate personale e provinciale.
Deri atëherë, shqiptarët, preferojnë të vëzhgojnë që diçka të ndodhë nga shtëpitë apo nga ekranet. Sigurisht, do të dëgjojnë edhe apelin e aktorëve që Teatrin Kombëtar ta restaurojnë me dhurimet e shqiptarëve, do të shënojnë edhe numrin e llogarisë se ku këto para t’i derdhin… po pastaj? Shqiptarët, si çdo popull që kërkon zhvillim e përmirësim do të kuptojnë e do të ndjejnë se fjalët e thëna janë akoma ato të mëndjes, të llogarisë, derisa nga zemrat të dalin fjalë të ndjera e të vërteta, shqiptarët, do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi.