Përtej simbolikës së përdorur nga ana e opozitës për të zhvilluar mbledhje të jashtëzakonshme në këtë situatë të jashtëzakonshme në Shkodër, kishte dhe detaje që po të ishin dhënë nga mediat do të kishin bërë diferencën.
Pikësëpari, që të jemi të qartë për pozicionin tonë kundër krimit, ajo që po ndodh në Shkodër kur situatën e kanë marrë në dorë bandat, është përtej të thënit kriminale.
Për më tepër kriminal është dhe reagimi i shtetit, që me sa duket i ka lënë shkodranët në mëshirën e bandave të krimit, që e kanë kthyer Shkodrën në një shesh “lufte” ku në dy javë janë marrë 6 jetë. Dhe të gjithë kanë qënë biznesmenë ose të lidhur me biznesin.
Eshtë e pafalshme që deri më tani nuk ka asnjë masë ndaj Policisë së Shtetit, që nga kreu i saj në Tiranë e deri në drejtorinë e qarkut Shkodër dhe për më tepër ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kësaj situate i përgjigjet me “grafikë dhe kurba të uljes së krimit” në Kuvend.
Opozita shkoi në Shkodër dhe bëri një mbledhje simbolike dhe mirë bëri, pavarësisht se kur ka qënë në pushtet ka vrarë vetë, pa i lënë rradhë bandave.
Por po flasim për situatën aktuale, dhe ajo kërkon reagim sepse ka dalë jashtë kontrollit të shtetit. Opozita e bëri të vetën, atë që i takon.
Por kjo situatë nuk e kapërcen dhe faktin se në Shkodër opozita u prit tmerrësisht ftohtë, madje dhe OJF-të në aktivitetet e tyre kanë pasur me tepër entuziasëm, pjesëmarrje dhe kredibilitet.
Mediat dhanë live vajtjen e Bashës dhe të grupit të deputetëve të PD dhe LSI në sallën ku do të zhvillohej mbledhja. Një sinkron i lartë kohor iu kushtua live dhe vajtjes së ish kryeministrit Sali Berisha dhe takimit të tij me të gjithë deputetët e pranishëm në mbledhjen e zhvilluar në Shkodër.
Ajo që u vu re ishte fakti se Sali Berisha kishte veshur sërish jelekun e famshëm antiplumb, duke treguar qartë se pavarësisht se Shkodra është bastion i PD, Berisha sërish ka frikë.
Krimet e bëra gjatë qeverisjes dhe në opozitë, e kanë bërë që të jetë nën ethet e frikës dhe të marrë masa mbrojtëse, deri duke veshur sërish tashmë në opozitë jelekun antiplumb.
Ndërkohë që elementi tjetër që u pa në këtë takim ishte mungesa e kryetares së LSI Monika Kryemadhi. E cila kishte dërguar në vend të saj nënkryetarin e partisë Petrit Vasili.
Janë detaje këto që në një ditë si kjo bëjnë diferencën, pasi kemi të bëjmë me një opozitë të trembur, ku kryetari real i PD vesh jelekun antiplumb, ndërsa kryetarja e partisë së dytë në opozitë LSI, Monika Kryemadhi bojkoton fare mbledhjen.
Dhe kjo është akoma më e trishtueshme kur mendon që opozita kërkon ta fillojë ringritjen e saj nga Shkodra, që sot ishte terësisht indiferente./Pamfleti