Ky është Aldi Zyba, hetuesi i BKH-së, i caktuar të përgjojë e ndjekë këmbë këmbës Gent Ibrahimin, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, bashkë me Holta Zaçajn, kryetaren e këtij institucioni, bashkë me Ylli Manjanin, ish-ministrin e Drejtësisë, avokat i çështjes së Pëllumb Gjokës.
Aldi Zyba është emëruar hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) në vitin 2021, pas një “karriere” që e filloi në 2015 si punonjës mirëmbajtjeje në Drejtorinë e Tatimeve Tiranë, deri në maj 2017, kur emërohet specialist në Sektorin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP), institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Drejtore e Përgjithshme në kohën e emërimit të tij në ATP ishte Sonila Qato.
Gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e specialistit në ATP, Aldi Zyba është angazhuar edhe në proceset zgjedhore si komisioner i PS-së, bashkë me babanë e tij, Aleks Zyba, një ushtarak i vjetër me profesion gjeodet ushtrie.
Është e paqartë se çfarë kriteresh ka plotësuar Aldi Zyba për të fituar të drejtën e emërimit ‘Hetues’ i BKH-së, për më tepër t’i jepet një detyrë kaq delikate si ajo e përgjimit të gjyqtarëve më të lartë në piramidën gjyqësore, atë të Gjykatës Kushtetuese.
Hetuesi i BKH-së u caktua të drejtojë operacionin e përgjimit ambiental të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por këtë detyrë ai duhet ta kryente bashkë me oficerë të “operacionales” së Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Grupi prej 5 “detektivësh”, me në krye Aldi Zyben, ka vendosur “çimka” në disa ambiente ku qëndronin objektivat e tij. Ky bashkëpunim duket se është dekonspiruar në një ditë delikate përgjimi, teksa janë vënë në dijeni “viktimat” e këtij operacioni të autorizuar nga SPAK.
Përgjimi i gjyqtarëve kushtetues vetëm me autorizim prokurori, pa lejen e gjykatës, e nxjerr SPAK-un zbuluar, ndërsa Aldi Zyben e hedh në “furrën” mediatike… Përse u shit Aldi Zyba?