Ndikimi rus në Shqipëri ka filluar të shtrihet në nivele shumë të larta. Prej muajsh Moska po tenton të ndërhyjë në Ballkan dhe Mali i Zi me Maqedoninë e Serbinë ishin fokusi i saj kryesor. Por duket se dhe Shqipëria nuk ka mbetur pas, pasi një numër i madh zyrtarësh janë bërë për vete nga Rusia. Sipas burimeve të gazetës pranë një ambasade të rëndësishme në vend dhe pranë shërbimeve inteligjente, partnerët ndërkombëtarë kanë zbuluar se një politikan i lartë në Shqipëri ka lidhje të forta me qeverinë ruse. Bëhet fjalë për një emër të njohur sot në politikë, i cili ka hyrë në marrëdhënie me rusët përmes një prej këshilltarëve të tij. Ky politikan ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme në vend dhe sot ka një rol vendimmarrës. Falë lidhjeve me rusët, ai është bërë shumë i fuqishëm.
Por si është bërë zbulimi? Amerikanët dhe disa vende të tjera anëtare të NATO prej muajsh kanë rritur masat në Ballkan dhe në vendin tonë sa i takon rrezikut rus. Që më herët gazeta e ka deklaruar se Shërbimi Informativ me ndihmën e partnerëve ka vënë në mbikëqyrje shumë eksponentë që dyshohet të kenë lidhje me rusët. Këta eksponentë përveç survejimit, janë përgjuar çdo ditë. Gjatë këtyre përgjimeve që janë kryer, ka rezultuar se kontakte me Moskën ka pasur një emër i njohur, i cili ka punuar dhe punon si këshilltar i një politikani të lartë.
Nga përgjimet është zbuluar se pas këtij personi fshihej vetë punëdhënësi i tij, i cili me ndihmën e rusëve ka forcuar ndjeshëm pozitat e tij kohët e fundit. Pushtetari në fjalë, duke përdorur këshilltarin e tij, ka arritur të vendosë kontakte që nga ambasada e Rusisë në vendin tonë, e deri te Ministria e Jashtme ruse e qeveria e Kremlinit. Nga përgjimet e kryera, ka rezultuar se këshilltari në fjalë ka qenë i udhëzuar nga shefi i tij për të krijuar një rrjet të fortë biznesmenësh rusë në Shqipëri. Qëllimi i këtij politikani ka qenë që disa biznesmenë rusë të vijnë në vendin tonë dhe të zhvillojnë biznese, që nga rrjeti i naftës, e deri të ngritja e shoqërive turistike apo hoteleve dhe restoranteve në bregdet. Kjo do forconte pozitat e tij si nga ana financiare, por dhe nga ajo politike.
Shqetësimi i ndërkombëtarëve
Pushtetari, i cili është zbuluar nga partnerët ndërkombëtarë se ka lidhje me rusët, është një emër i njohur që ka dalë disa herë kundër SHBA. Ai ka sot rol vendimmarrës dhe kjo ka shqetësuar partnerët tanë. Përmes vendimeve të tij ai mund të kompromentojë sigurinë në vend, por dhe të rrezikojë NATO, pasi ne jemi vend anëtar. Kjo tregon dhe armiqësinë e tij me amerikanët, pasi është përpjekur gjithmonë që rusët të zbarkojnë në vendin tonë.
Por autoritetet partnere në bashkëpunim me shërbimet inteligjente shqiptare kanë arritur të marrin në dorë një numër të madh përgjimesh të këshilltarit të këtij personazhi, i cili ka pasur kontakte të vazhdueshme me eksponentë të caktuar rusë. Por të gjithë të lidhurit me Moskën duhet të shqetësohen, pasi me ngritjen e bazës së NATO në vendin tonë, të gjithë do jenë në skaner. Nga ana tjetër, nuk është e paqëllimtë që në vendin tonë do të vijë si ambasadore e SHBA një eksperte e Rusisë. Kavalec është një njohëse shumë e mirë e Moskës dhe mbërritja e saj në Tiranë ka si qëllim pikërisht prerjen e lidhjeve të Rusisë me politikën shqiptare. Amerikanët e dinë që Moska ka lidhje në politikën shqiptare dhe po sjellin Kavalec si ambasadore.
Kjo ka alarmuar shumë zyrtarë, përfshirë dhe pushtetarin në fjalë. Si duket ndërkombëtarët janë duke prishur planin e tij që Shqipëria të kthehet në një objekt të Moskës dhe kjo e ka alarmuar. Uashingtoni tregoi se dhe vetë presidentin Donald Trup nuk është i paprekshëm sa i takon kontakteve me Putin, pasi është hapur një hetim ndaj tij. Kjo do të thotë se dhe ata që kanë lidhje me Moskën në vendin tonë, janë vënë në rreth të kuq nga amerikanët./Kliti TOPALLI