Fotoja e këtij djali të vogël, i zhveshur nga temperaturat e larta dhe i lodhur nga pritja në kufirin e Kakavijës pushtoi rrjetet sociale. Në dorë mban pasaportën shqiptare dhe nis të qajë nga kaosi i krijuar në kufi, prania e policëve, radhës së gjatë, por edhe konfuzionit të krijuar mes rregullave të reja të njoftuara nga autoritetet greke.
Ai kishte mbetur në kordonin e policisë por babanë e kishte kapur për dore në një moment dhe nuk ia lëshonte duke i kërkuar të shkojë në shtëpi. Report Tv zbulon bisedën prekëse mes babait, djalit dhe policit që ndodhet pranë.
BABAI ME DJALIN.
Babai- policit: Hapu more, hapu… Çfarë do (i thotë fëmijës)
Qytetarët: Hapuni se ka djalin
Djali: Dua të iki në shtëpi
Babai: Po ku ta gjej shtëpinë unë këtu, ku ta gjej shtëpinë…
Ndërhyn polici: Hajde tek xhaxhi, hajde tek xhaxhi, hajde të të marr xhaxhi, të dalim pak. Të lutem
Babai: Po ç’të lutem, shiko si më është bërë fëmija, unë s’kam vetëm këtë kam tre, kam dhe dy të tjerët matanë.
Pala greke do të vijojë të punojë edhe gjatë natës për të kaluar emigrantët shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës. Drejtori i Policisë Kufitare të Janinës Fotis Dijis dhe komandanti i Policisë Kufitare Greke të Janines Thomas Betsis janë takuar me drejtuesit e pikës kufitare në Kakavijë.
Duke parë volumin e punës dhe prezencën e shumtë te emigrantëve, ata u kanë kërkuar homologëve grekë shtyrjen e orarit të hyrjes së emigrantëve në Greqi edhe gjatë orëve të natës, deri në orën 06:00 të ditës së nesërme.