Transkriptet e deklasifikuara të një bisede të vitit 2001 mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit amerikan George W. Bush tregojnë se udhëheqësi i Kremlinit ka kërkuar hapur mundësinë e anëtarësimit të Rusisë në NATO.
Dokumentet janë publikuar nga National Security Archive dhe hedhin dritë mbi qëndrime të hershme që bien në kontrast me retorikën aktuale të Moskës.
Gjatë bisedës, Putin i referohet deklarimeve të Bushit se Rusia nuk ishte armike e Shteteve të Bashkuara, duke e përdorur këtë si argument për afrimin me Aleancën Atlantike.
“Rusia është evropiane dhe multi-etnike, ashtu si Shtetet e Bashkuara. Mund ta imagjinoj veten duke u bërë aleatë”, thuhet në transkript.
Putin thekson se Moska ndihej e përjashtuar nga NATO dhe vë në pikëpyetje arsyet e zgjerimit të saj.
Ai kujton se Bashkimi Sovjetik kishte aplikuar për anëtarësim që në vitin 1954 dhe argumenton se kushtet që atëherë kishin çuar në refuzim tashmë ishin përmbushur.
Në këtë kontekst, ai sugjeron se Rusia mund të bëhej aleate e Aleancës, ndërsa Bush i përgjigjet shkurtimisht: “Kjo është interesante”.
Në të njëjtën bisedë, Putin përjashton kategorikisht mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, duke përmendur përbërjen etnike të vendit dhe kundërshtimin e një pjese të popullsisë.
Ai e përshkruan Ukrainën si një shtet të krijuar artificialisht, narrativë që do të përsëritej edhe në vitet pasuese.






