Nga Anri Bala
Nuk do jetë hera e fundit, që do të shohim para syve tanë si vdekja puth engjëjt në faqe… e ngutet t’i rrok pranë saj, a thua se jeta i donte më pak!
Por për mua është sekëllditëse dhe e neveritshme të lexoj disa koleg, që mundohen t’ia hedhin fajin jetës, teksa vdekja kërkon shokë… e shfaqje të tilla, nëse janë dredhi e djallit, edhe atij do t’i lutesha të mbante dorën sado pak.
Unë i mirëkuptoj kolegët gazetar… “për sa kohë jetojmë në të njëjtin qiell, patjetër që rrufetë mund të shkarkohen kudo e në çdo çast”. Por nuk do arrij t’i kuptoj kurrë këta drejtues të telemendereve, nëse e bëjnë nga padija apo lakmia, që një lajm pa asnjë interes publik, e hedhin pa ndrojtje në mexhelis, a thua ndjekësit e tyre janë të ngathët në gjykim dhe arsye për ta kuptuar se është një grackë.
Se di se si mund te krekoset një profesionist, se është prijës i një tufe injorantësh dhe as që arrij të kuptoj vetkënaqësinë që ndjejnë duke e provuar këtë! Për fatin tonë të mirë, ndjekësit e tyre janë të kujdesshëm dhe të zgjuar, edhe nuk durojnë kur bëhet fjalë t’i fyesh inteligjencën.
Një shaka pa kripë mund ta quaj publikimin e një lajmi në faqen zyrtare të gazetares Eni Vasili, e cila trajtonte një aksident me skaf në Greqi, ku një djali të ri i ishte “prerë” dora nga helikat e skafit 15 metra larg bregut… si për të bër paralelizëm me tragjedinë e ndodhur në Himarë disa ditë më parë, se të tilla ngjarje ndodhin kudo.
Ky lajm ka rritur zemërimin tek ndjekësit e faqes së gazetares, të cilët e kanë përbuzur sjelljen e saj të ulët me komente, sepse… dhe kjo vlen për këdo: Qarjet dhe qurravitjet nuk i ndihmojnë dot tregëtarët e rrenave të mashtrojnë opinionin publik… tregëtarë që hedhin nga një gur në lum, për të na vënë në garë kush do ta nxjerrë i pari!