Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se qeveria ka vendosur që maskat të jenë të detyrueshme në ambientet e mbyllura.
Manastirliu theksoi se do të ndëshkohen të gjithë ata që nuk do ta zbatojnë këtë masë tjetër mbrojtëse në luftën ndaj Covid-19.
“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambientet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit”,- tha Manastirliu.
Ajo shtoi se në rast të mos respektimit të kësaj mase policia do të marrë masë administrative.
Qeveria shqiptare vendosi sot përdorimin e maskës/barrierën mbrojtëse prej tekstili si të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lek të reja për çdo thyerje të rregullit. Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se ky vendim, është një tjetër hap drejt forcimit të masave për frenimin e përhapjes së COVID19.