Pritet që qeveria të marrë vendim për të dhënë ditë pushimi për njërin nga prindërit, të cilët kanë fëmijë në çerdhe ose parashkollor, në mënyrë që të kujdesen për fëmijët në shtëpi. Ky vendim do të merret për të lehtësuar prindërit në këtë situatë, ku duhet të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët, pas mbylljes së shkollave me dy javë.
Një mundësi është që t’i japë pushim njërit prej prindërve të punësuar në sektorin privat dhe publik, të cilët kanë një fëmijë në çerdhe, kopsht apo shkollë. Parashikohet që këto ditë pushimi të merren nga data 10 mars deri më 23 mars, kur pritet të rinisë procesi mësimor nëse nuk merr tjetër përshkallëzim situata me koronavirusin në Shqipëri.
Ky është një vendim ende i pamarrë, por pritet që qeveria ta marrë shumë shpejt dhe parashikohen kategoritë që punojnë si nëpunës civil, në administratë publike, dhe institucione të tjera shtetërore. “Caktimin e datave 10 deri 23 mars ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve që frekuentojnë osendjekin ose jo çerdhet,arsimin parashkollor dhe arsimin fillor, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror dhe vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.
Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe institucioneve arsimore, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve që të gjejnë mundësinë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1 të këtij vendimi”, pritet të vendosë qeveria. Dy ditë më parë një vendim të tillë e mori Bashkia e Tiranës, duke i dhënë kësisojlejenga puna, nënave, ose të vijnë në punë vetëm 1 orë, nëse prania e tyre është e domosdoshme për të firmosur. Pushim u është dhënë edhe të gjithë punonjësve të bashkisë që janë mbi 60 vjeç. Ftesën për të ndjekur të njëjtën rrugë, Veliaj ua bëri edhe bizneseve. Shqipëria ka konfirmuar deri më tani 10 të prekur nga koronavirusi, ndërsa janë kryer 114 teste ndaj personave të dyshuar. Qeveria bllokoi sot udhëtimet nga Italia dhe anasjelltas të personave, qoftë me anije e qoftë nga ajri, ndërkohë që lejohen vetëm udhëtimet për transportin e mallrave.