Qeveria dhe Kuvendi kërkojnë që SPAK të hetojë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e mbetur në veting. Prokuroria e Posaçme po heton vetëm ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, por për qeverinë ka mjaftueshëm prova për të hetuar dhe të tjerë.
Në këtë kuadër, ditën e djeshme e pranishme në Komisionin e Ligjeve, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që në 2021 të kryejë hetime të thelluara ndaj 140 gjyqtarëve dhe prokurorëve që u shkarkuan nga vetingu. Ministrja tha se, puna e bërë deri më tani nga vetingu për verifikimin e pasurive ka qenë shumë e mirë, por gjithsesi asnjë rast nuk duhet lënë me kaq.
Gjonaj tha se, SPAK duhet të thellojë hetime për të zbuluar nëse këto persona kanë pasur lidhje me krimin. “SPAK ka pasur rezultate shumë të mira për sa i përket korrupsionit në nivele të larta, si dhe për sekuestrimin e pasurive të ish-funksionarëve të lartë të drejtësisë, por kjo duhet të vijojë. Duhet të qartësohen për të mos lënë hapësirë të të gjithave veprave të korrupsionit që kalojnë në kompetencë të Prokurorisë së Përgjithshme.
SPAK duhet të vijojë hetimin e të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë vendosur pasuri për shkak të korrupsionit”, deklaroi ajo. Sipas Gjonajt, është lënë detyrë për çdo organ të drejtësisë që të bashkëpunojnë më shumë me SPAK, sidomos për rastet kur bëhen kualifikim apo verifikim i punonjësve të sistemit të drejtësisë. Ajo sqaroi se, kjo do të bëhet me qëllim që të evidentohet çdo element, i cili mund të krijojë paligjshmëri në mënyrën e veprimit të prokurorëve për sa i përket hetimit apo veprimeve të tjera që mundet të cenojnë pjesën e pavarësisë. Njëkohësisht edhe pjesën e përgjegjshmërisë së prokurorëve gjatë pjesës së hetimit të veprave penale.
“Kujtojmë këtu se një nga rekomandimet që kemi lënë përgjatë këtij viti është bashkëpunimi i SPAK me ILD. Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë një sërë udhëzimesh në zbatim të çfarë është rekomanduar në këtë paketë, do duhet padyshim të vazhdohet bashkëpunimi edhe me ILD. Sidomos për rastet kur kanë sjellë një problematikë apo rrezikshmëri, si në rastet e lirimit të personave me rrezikshmëri të lartë të mundet të hetohen dhe të procedohen disiplinarisht sa më shpejt”, është shprehur ajo.
Rritja e masave të tjera
Gjonaj tregoi se për vitin 2021 dy prioritete të tjera do të jenë lufta ndaj krimeve zgjedhore dhe siguria në burgje. Gjonaj tha se puna për të mbajtur procesin zgjedhor larg krimit të organizuar ka filluar vrullshëm që në vitin që shkoi për t’u përgatitur për zgjedhjet që kaluam. Por, bazuar edhe nga rekomandimet e ndërkombëtarëve organet e drejtësisë do të luftojnë akoma më ashpër krimin zgjedhor përgjatë këtij viti, duke bashkëpunuar me SPAK.
“Gjithashtu një ndër rekomandimet që ne kemi vijuar dhe kemi vendosur në luftën kundër kriminalitetit drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2021 dhe njëkohësisht SPAK, ka të bëjë pikërisht me ndjekjen e të gjitha rasteve që lidhen me krimet zgjedhore, për një hetim sa më të shpejtë dhe një hetim gjithëpërfshirës. Duke mbajtur në konsideratë që janë prioritet që është një element shumë i rëndësishëm me qëllim që të ndajmë njëherë e mirë nga të gjitha praktikat e mëparshme dhe për të patur një proces në vijim për të gjitha rastet sa më të mirë zgjedhor”, tha ajo.
Gjonaj tha se kontroll i vazhdueshëm dhe i shtuar do jetë edhe nëpër burgje, me fokus ndërprerjen e marrëdhënieve që mbajnë të burgosurit me botën e krimit jashtë. Sigurisht edhe për të gjurmuar këto raste do të duhet bashkëpunimi i disa institucioneve. Duhet mbajtur në konsideratë se disa nga arritjet në luftën kundër kriminalitetit, të cilat jo detyrimisht lidhen vetëm me organin e prokurorisë, por me veprimtarinë e një sërë institucioneve do doja të përmendja se në 2020 kemi përfshirë tashmë në ligjin për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve, që lidhet me regjimin 41 bis. Për t’u dhënë fund të gjitha kontakteve të subjekteve të rrezikshme kriminale që ndodhen në sistemin penitenciar, mbajnë me botën jashtë duke dhënë shpeshherë edhe urdhra nga brenda sistemit të burgjeve”, tha Gjonaj./ ESMERALDA HIDA