Pas më shumë se 2 vitesh pritje për aktet nënligjore, qeveria ka miratuar sot vendimin që përcakton rregullat teknike për funksionimin e basteve sportive online në Shqipëri.
Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Financave dhe vendos standardet që duhet të plotësojnë platformat ku do të ofrohen këto baste.
Një nga elementët kryesorë është identifikimi i detyrueshëm i çdo lojtari. Pra, kushdo që do të përdorë këto platforma duhet të regjistrohet me të dhëna të verifikuara, në mënyrë që të parandalohet përdorimi nga persona të paautorizuar apo nga të miturit.
Një tjetër proces i rëndësishëm lidhet me pagesat. Çdo transaksion, qoftë depozitë apo fitim, duhet të regjistrohet dhe të monitorohet në kohë reale nga institucionet përgjegjëse. Kjo synon të rrisë transparencën dhe të shmangë abuzimet apo aktivitetet e paligjshme.
Vendimi parashikon gjithashtu që sistemet e kompanive të licencuara të kenë standarde të caktuara teknike, si në programet kompjuterike ashtu edhe në pajisjet që përdoren. Përpara se të vihen në funksion, këto sisteme duhet të certifikohen për të garantuar sigurinë dhe kontrollin e tyre.
Miratimi i këtyre rregullave konsiderohej një hap i domosdoshëm për funksionimin e tregut të basteve online, pasi prej muajsh mungesa e akteve nënligjore kishte lënë të paqartë mënyrën se si do të operonte ky sektor në praktikë. Tashmë, me përcaktimin e standardeve teknike, pritet që procesi i licencimit dhe funksionimit të platformave të hyjë në një fazë më konkrete. Ndërkohë janë edhe 7 akte të tjera nënligjore të cilat pritet të formulojë dhe të vihen në zbatim.
Praktikisht ligji për bastet online hyri në fuqi në 1 prill 2024 por qëndronte i pazbatueshëm. Janë 10 licenca në dispozicion të cilat do të kenë një afat 10 vite për ushtrimin e këtij aktiviteti në Shqipëri. Për të aplikuar kompanitë duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë, ndërkohë tarifa e licencimit për ushtrimin e këtij aktiviteti është 400 milionë lekë.
Sa i takon tatimit, sipas ligjit të ri, organizatorët e kategorisë “Baste sportive online” derdhin brenda datës 15 të muajit pasardhës në llogari të Fondit të Posaçëm masën 15% të të ardhurave bruto nga loja, ndërsa lojtarët do të trajtohen sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat






