Qeveria ka vendosur përfundimisht heqjen e taksave për një vit për biznesin e vogël dhe reduktim në 15% për biznesin e madh. Pas paraqitjes së vendimit nga kryeministri Rama në prill të këtij viti, ditën e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar faljen e taksave për të gjithë bizneset me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë.
“Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin për propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim. Ky vendim do fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm ku biznesi i vogël dhe ai i mesëm nuk do të paguajnë taksa, ndërsa biznesi i madh do të tatohet me vetëm 15%. “Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi që Pika 1, e nenit 28, “Shkalla tatimore”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
1. Shkalla e tatimit mbi fitimin është: 0% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit. 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit”. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021”, thuhet në vendim.
Kështu sipas premtimit të kryeministrit dhe tashmë miratimit të këtij vendimi të gjitha bizneset e vogla nuk do të paguajnë taksa deri në fund të këtij viti, ndërsa për bizneset e mëdha, një pjese do t’i shtyhen taksat përjashto ato që janë të përjashtuar si telekomunikacionet, bankat.
Një pjese do t’i shtyhet deri në fund të shtatorit dhe turizmit, fasonëve dhe call-centerave do ti shtyhen deri në 31 dhjetor, të cilët do të fillojnë t’i paguajnë në mënyrë proporcionale vitin e ardhshëm. Ndërsa bizneset e vogla do të falen të gjitha për këtë vit dhe nuk kanë punë fare, nuk iu kërkon njeri asgjë. E gjithë kjo bëhet që ata të marrin veten plotësisht, madje do të vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes për mbështetje pasi janë më të dëmtuarit nga tërmeti dhe pandemia.