Nisin diskutimet për Kapitullin 23 si pjesë e platformës për integrimin europian. Ditën e djeshme ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u ka bërë thirrje aktivistëve, nëpunësve civil, përfaqësuesve të medias dhe më gjerë, të bashkohen në tryezën për Kapitullin e 23, që na çon një hap më afër mbledhjes së parë ndërqeveritare.
Kapitulli 23 ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe është një nga kapitujt e parë të progres-raportit të BE për vendin tonë. Progres-raporti që përshtat legjislacionin e Shqipërisë me atë të BE përmban shumë artikuj, por është vendosur që të fillohet më Kapitullin 23, i cili ndikon në sistemin e drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë hap raundin e dytë të aplikimeve për pjesëmarrje në Tryezën e Diskutimit dhe Këshillimit për Kapitullin 23 si pjesë e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian. Ministria e Drejtësisë është i pari institucion i administratës publike që ka ngritur Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian prej shkurtit 2020 me përfaqësues të shoqërisë civile dhe botës akademike”, shkruan Gjonaj në Facebook.
Ajo që bie në sy është se, hapja e Kapitullit të 23 dhe më pas e atij 24 sjell paralajmërime të forta për të korruptuarit në vend. Kjo sepse konkretisht në këto dy kapituj, BE kërkon që të nisin arrestimet në nivele të larta. SPAK është gati, ndërkohë Byroja e Hetimit është në procesin e zgjedhje së kryetarit, por që sipas burimeve shumë shpejt do të nisë puna dhe për përzgjedhjen e hetuesve.
Pritet që në vjeshtë ky organ të jetë gati. “Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të: Përparojë më tej me krijimin e një regjistri për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të vëna nga veprat penale të korrupsionit; të thellojë më tej hetimet financiare; të finalizojë procedurat për themelimin e organeve të specializuara anti-korrupsion, të përbërë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Byroja Kombëtare e Hetimeve për të ndëshkuar korrupsionin e nivelit të lartë deri në nivel politik”, përcakton progres-raporti.