Nuk është humor i zi. Qeveria shqiptare paguan ish ministrin e Mbrojtjes së Gërdecit, Farmir Mediun, i pandehur nga SPAK si shkaktar për 26 të vdekur, si dhe djalin e tij Even Mediun, për të mbrojtur Ballkanin nga rreziku rus dhe kinez.
Dhe paratë që Fatmir Mediun me të birin fusin në xhep për të na mbrojtur nga nga Rusia dhe Kina, nuk i kanë deklaruar sipas ligjit në ILDKPKI. Kjo mund të jetë një shkelje modeste në raraport me gjëmën e Gërdecit, por e mjaftueshme për SPAK për të nisur hetimet. Dhe pikërisht nga frika e SPAK ka nisur zhdukja e dokumenteve të përfitimit të parave si rreth familjar.
Më konkretisht, Fatmir Mediu, prej muajit tetor 2019 përfaqëson Shqipërinë si President dhe Drejtor i Bordit Ekzekutiv të Qendrës për Sigurinë e Evropës Juglindore.
Drejtor Menaxhimi të Projekteve në Qendrën për Sigurinë e Evropës Juglindore, Fatmir Mediu ka emëruar djalin e tij, Even Mediu prej 3 vitesh, i cili ka marrë në staf edhe mikeshën Ejona Isufi si “Specialiste sigurie”.
As në këtë qendër, Fatmir Mediu nuk punon veresie, por kalon në dorë 1.1 milionë Euro çdo vit; që shteti ia jep nga taksat e shqiptarëve, për të cilat ai dhe i biri, bëjnë letra, sikur i shpenzojnë me projekte të sigurisë për të evituar rrezikun ruso- kinez në Ballkanin Juglindor.
Sipas informacionit, për këtë qendër të drejtuar nga Fatmir Mediu me të birin si shef projektesh, jepen çdo vit 350 mijë Euro nga Ministria e Mbrojtjes; 200 mijë Euro nga Kuvendi për mbështetje projektesh Euro-Atlantike në Rajon; 250 mijë Euro nga qeveria si partnere e Qendrës së Sigurisë të Evropës Juglindore dhe 300 mijë Euro, nga fondi që Shqipëria ka për NATO-n, përveç donacioneve që Mediu nuk i publikon.
Në këto 1.1 milionë Euro në vit, Fatmir Mediu i jep vetes pagë 12 mijë Euro në muaj, djalit 7 mijë Euro muaj, mikeshës së djalit 5 mijë Euro në muaj dhe shumë të tjerëve shqiptarë të huaj që ka futur në listë; por se çfarë ka bërë e po bën me këto fonde këtë mund ta zbulojë SPAK-u.
Madje, për çdo udhëtim në takimet e Qendrës për Sigurinë e Evropës Juglindore në SHBA, në vendet e BE dhe Rajonit, Fatmir Mediu, merr dhe dieta nga parlamenti i Shqipërisë; ndërsa në CV-në e emërimit të djalit të tij, Even Mediu, thuhet: Është i angazhuar aktivisht në çështjet e sigurisë kombëtare e të Ballkanit, por dhe në nivelet e larta të politikës.
Transaksione të dyshimta
Disa të dhëna dhe sinjalizime ngrenë dyshime të forta se Fatmir Mediu është përfshirë në një skemë pastrimi parash përmes të birit, vajzës dhe bashkëshortes. Sipas burimeve brenda një banke të nivelit të dytë, në një hark të shkurtër kohor, kanë kaluar nga llogaria e një oligarku në llogarinë e bashkëshortes së Mediut, Zhuljeta Mediu vlera të mëdha dhe të dyshimta parash, pa një shërbim apo shpjegim të specifikuar. Nuk dihet nëse paratë janë produkt i veprimtarisë korruptive të Fatmir Mediut apo të djalit të tij, Even Mediu, i skeduar për pastrim masiv parash përmes blerjes së aksioneve në disa kompani dhe ngritjes së disa kompanive fantazmë.
Transaksionet e dyshimta të bashkëshortes së Fatmir Mediut nuk janë deklaruar në deklaratat vjetore të pasurisë. Në këto deklarata reflektohen disa pasuri të përbashkëta dhe të ardhurat nga paga si përgjegjëse sektori në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nuk dihet nëse SPAK ka nisur një hetim pasuror për Fatmir Mediun, i cili ka bërë shpenzime që nuk përputhen me të ardhurat e ligjshme të deklaruar. Për shembull, gazetarët amerikanë, kanë shtruar pyetjen se cili ka qenë burimi i parave të Fatmir Mediut, i cili ka paguar nga 40 mijë USD çdo vit për të shkolluar vajzën në SHBA, kur të ardhurat e tij të ligjshme nuk e mbulonin këtë shumë dhe kur nuk figuron as kredi dhe as hua, pra një formë tjetër të ardhurash të ligjshme.
Even Mediu kartel kompanish, dyshime për pastrim parash
Djali i Fatmir Mediut, Even Mediu është ortak me 50% në kompaninë “Beauty International”, ortak me 100% pranë subjektit “EM Consulting’s”, pronar i kompanisë “Nexatel”, ortak me 3% në shoqëritë “Proper Pizza Albania”, “Proper Pizza Delivery”, “Proper Pizza Production”, si dhe ortak me 33% pranë subjektit “SEG eksport”.
Mediu deklaron se djalit ia kanë dhuruar aksionet tek Proper Pizza. Ndërkaq, zyrat qëndrore 300 m2 e firmës “NEXATEL Shpk” të djalit të Fatmir Mediut ndodhen në kullën e Bashkim Ulajt, aty ku ka zyrën edhe Sali Berisha. Një kartel kompanish si LunTech GROUP, SEG eksport, EM Consulting’s, Nexatel, Proper Pizza Albania, Proper Pizza Delivery, Proper Pizza Production, SEG eksport dhe disa shoqata, dyshohet se përdoren nga Even Mediu për pastrim parash.
Gjithashtu, mes firmës austrika MG Finleas GmbH dhe Even Mediut rezultojnë transaksione dhjetëra mijëra euro. Në llogaritë e Even Mediut kanë ardhur para edhe nga kompania Edelweiss city Apartments GmbH.
Ndërkaq, vajza e Fatmir Mediut, Semela Mediu kamuflon disa dyqane te qendra Toptan dhe vila në Farkë me kompanitë M&T shpk dhe BEAUTY INTERNATIONAL.
Vilë si i pastrehë
Fatmit Mediu është lakuar edhe për pasurinë, sidomos për shpenzimet me burim të dyshimtë, për shkollimin e fëmijëve në SHBA. Mediu ka përfituar një kredi të butë për strehim, por ka blerë një vilë në Kavajë.
Në vitin 2003, Mediu ka blerë për 65 mijë USD vilën në Kavajë me sipërfaqe 135 m2, mbi një truall 292 m2. Për të mbuluar vlerën, Mediu ka marrë 5 milionë lekë (rreth 50 mijë USD) kredi tek ish Banka e Kursimeve, me vendim qeverie, për strehimin e zyrtarëve të lartë, ndërsa diferencën e ka mbuluar me kursime.
Mediu ka në pronësi edhe një apartament 191 m2 në Tiranë. Në këtë apartament ka bërë një shtesë me konstruksion të lehtë me sip. 56 m2 me kosto 700 000 lekë, e cila është legalizuar në vitin 2021.