Qeveria shqiptare përmes një vendimi ka bërë të ditur se ka riorganizuar mjekësinë ligjore. Në vendimin e Këshillit të Ministrave tregohen qartë detyrat që ka Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe detyrat që ligji i ngarkon drejtorit. Po ashtu, Instituti i Mjekësisë Ligjore kryen edhe veprimtari kërkimore-shkencore për të zbuluar dhe më tej zbatuar metodat bashkëkohore në fushën e mjekësisë ligjore.
“Instituti i Mjekësisë Ligjore e shtrin veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai organizohet në nivel qendror dhe cakton përfaqësues për ushtrimin e funksioneve pranë çdo gjykate Apeli. Instituti i Mjekësisë Ligjore drejtohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e institucionit dhe përgjigjet përpara ministrit.
Instituti i Mjekësisë Ligjore kryen detyrat, si më poshtë vijon: Kryen ekspertime mjeko-ligjore, toksikologo-ligjore, biologjiko-ligjore dhe psikiatro-ligjore, si dhe veprime të tjera, sipas rasteve dhe procedurave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale dhe në ligje të tjera të posaçme; Kryen veprimtari kërkimore-shkencore për zbulimin dhe zbatimin e metodave bashkëkohore në fushën e mjekësisë ligjore”, thuhet në VKM.
Ndërkohë që Instituti i Mjekësisë Ligjore të përmbushë misionin dhe përgjegjësitë që i ka ngarkuar ligji, duhet të bashkëpunojë ngushtë me disa komponentë. “Instituti i Mjekësisë Ligjore, me qëllim përmbushjen e misionit dhe të përgjegjësive të tij, bashkërendon veprimtarinë me: institucionet shëndetësore për parandalimin e veprave penale që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pacientëve; institucionet homologe ndërkombëtare; institucione të tjera të administratës publike. Struktura dhe organika e Institutit të Mjekësisë Ligjore miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
Rregullat për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit miratohen nga ministri, me propozim të drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore”, thuhet në VKM. Qeveria thekson se vula e Institutit të Mjekësisë Ligjore ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.