Autoritetet në Rumani thonë se 440 persona, përfshirë dhjetëra policë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi protestat anti-qeveritare përshkallëzuan në dhunë.
Protestat anti-qeveritare në Bukuresht më 10 gusht, nxorën në rrugë dhjetëra mijëra persona nga vendi dhe jashtë, të cilët kërkonin nga Qeveria që të japë dorëheqje për shkak të ndryshimit të disa ligjeve, të cilat, sipas kritikëve, do të bënin më të vështirë që të ndiqen veprat korruptive.
Protesta u përshkallëzua në dhunë pasi policia hodhi gaz lotsjellës dhe përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit. Disa protestues hodhën në drejtim të policisë gurë, shishe dhe bomba tymi.
Presidenti Klaus Iohannis, kritik i Qeverisë së krahut të majtë, dënoi “ndërhyrjen brutale të policisë”.
“Dënoj fuqishëm ndërhyrjen brutal të policisë, që ishte në disproporcion me veprimet e shumicës së njerëzve që kishin dal në shesh”, shkroi ai në Facebook.
“Ministria e Brendshme duhet në mënyrë urgjente që të shpjegohet për mënyrën se si ka trajtuar ngjarjet e sotme”, ka thënë më tej presidenti rumun.