Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 11 dhjetor se do të falë të gjithë personat që mund të akuzohen lidhur me heqjen e statusit të monumentit të kulturës për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm në Beograd. Sipas tij, çdo përgjegjësi i takon atij personalisht.
“Nuk do t’iu jap mundësinë që të ndjekin penalisht ata që nuk kanë asnjë faj. Unë jam fajtor. Unë jam ai që kam dashur modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që kam dashur të sjell një investitor të madh”, u shpreh Vuçiç gjatë një konference për gazetarët në Nish, pas vizitës në fabrikën Palfinger.
Kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i shkatërruar nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999, pritet të kthehet në një qendër moderne luksoze nga kompania investuese “Affinity Partners”, e udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Projekte të tilla kanë ngjallur debat të gjerë në Serbi, veçanërisht për heqjen e mbrojtjes kulturore të objektit.






