Kryeministri Edi Rama ka shkundur dje deputetët e Partisë Socialiste. Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama mblodhi dje në Elbasan grupin parlamentar socialist, ku në fokus të diskutimit 90 minutësh ishte thirrja e Asamblesë Kombëtare për zgjedhjen e Kryesisë së re dhe marrja e porosive për nisjen e fushatës elektorale.
Mbledhja nisi në orën 16:00, ndërkohë që gazeta ka mësuar disa detaje nga ky takim, i cili për deputetët e PS ka qenë një “makth” i vërtetë.
Rama akuzon deputetët se janë në gjumë
Kështu burime nga mbledhja theksuan se shefi i qeverisë ka akuzuar deputetët socialistë se janë në gjumë, ndërsa i ka kërcënuar se nëse nuk investohen dhe japin kontribut nuk do t’i rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021.
Madje, sipas të njëjtave burime kryesocialisti ka kërkuar nga vartësit e tij të zbresin në bazë dhe të punojnë fort për të bindur elektoratin që të votojnë Partinë Socialiste, pasi nëse qytetarët do të votonin opozitën e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, këto dy parti do ta zhysnin Shqipërinë në krizë shumëplanëshe. “Duhet të zbrisni të gjithë në bazë.
Shumë deputetë janë në gjumë dhe ka ardhur koha të zgjohen nga letargjia. Qytetarët do t’i japin një mandat PS për shumë arsye, pasi nëse larg qoftë do ta marrë Luli dhe Monika ata do ta shqyejnë Shqipërinë. Askush nuk e ka vendin e sigurtë në zgjedhje nëse nuk punon.
Duhet të ftoni në parti sa më shumë qytetarë që janë të zhgënjyer nga PD dhe LSI. Vetëm PS mund ta çojë përpara shtetformimin dhe Shqipërinë në BE”, mësohet t’ju ketë thënë Rama deputetëve.
Rama kritika deputetëve, i kërcënon me mosrikandidim
Por kritikat në adresë të deputetëve socialistë nuk përfunduan këtu. Kryeministri Edi Rama zgjodhi të flasë pas përfundimit të mbledhjes me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa përveçse ka bërë një autokritikë, ka shigjetuar sërish deputetët. Qartë dhe prerë Rama u ka thënë deputetëve se nuk ka kohë për të rrotulluar arra nëpër gojë, pasi shqiptarët presin shumë nga PS-ja.
Rama theksoi se gjithsecili duhet t’i kërkojë llogari vetes, pasi nëse do të jenë pasivë, kandidimi i tyre do të jetë në pikëpyetje. “Jemi në provimin e madh të zgjedhjeve, as kohë për të rrotulluar arra nëpër gojë nuk ka. Deputetë jemi në sallën e Kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot jemi thjesht kandidatë për deputetë që duhet ta fitojmë vendin në skuadër padyshim.
Le ta dëgjojnë të gjithë se kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, por gjithçka duhet për t’u futur në atë formacion të 2021, nuk do të jetë në atë formacion, askush tjetër përveçse nuk e çon dot Shqipërinë para dhe PS është i vetmi emër që nuk vihet dot në diskutim.
Emrat e tjerë duke filluar nga i imi i pari shkojnë dhe vijnë. Është po kaq e qartë që paaftësia dhe papërgjegjshmëria e atyre që udhëheqin partitë e tjera nuk mund të jenë arsye për ta quajtur ndeshjen e fituar pa u zhvilluar dhe aq më pak të mos i vënë PS-së në dispozicion skuadrën më të mirë në këtë betejë. Gjithkush këtu e ka potencialin për të qenë pjesë e skuadrës për të qenë 2021, por askush nuk e ka të garantuar vendin në skuadër pa e fituar atë përditë pa nëse dhe pa por”, deklaroi ai.
Por kjo deklaratë e fortë e kryeministri Edi Rama shkon si paralajmërim edhe për anëtarët e kabinetit qeveritar. Të premten Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, ndërkohë që kjo mbledhje mund të ketë surpriza, pasi mund të shkaktojë tërmet edhe në radhët e ministrave, për shkak se janë dhënë sinjale se mund të ketë ndryshime, por edhe nga fakti se shefi i socialistëve ua bëri të qartë vartësve të vetë se nuk e kanë të sigurtë rikandidimin.