Teksa fliste dje për Buxhetin e vitit 2023 në Kuvend, kryeministri Edi Rama sulmoi sërish Prokurorinë e Tiranës, duke thënë se ka funksionuar si sportel për të rritur pazarin dhe për të mbyllur kallëzimet që Drejtoria e Tatimeve i ka depozituar.
Madje, kreu i qeverisë akuzoi se Prokuroria denoncimet e PS ua ka dhënë opozitës.“Çfarë i keni ju problem këta që janë këtu, por ama këta duhet të mos përdorin biznesin e vogël për të shitur dhe shpërndarë pa fatura dhe të mos bëjnë evazion, sepse aty ku do të kapen, do të goditen, pavarësisht se duhet ta themi dhe këtë, na ka ngecur sharra në gozhdë në Prokurorinë e famshme të Tiranës, e cila prej shumë vitesh ka funksionuar si sportel për të rritur pazarin, duke mbyllur çështjet që drejtoritë tona të të ardhurave t’i çojnë për ndjekje penale.
Duke marrë para nga ata, të cilët duhet të ndiqen penalisht dhe duke çuar pastaj letrat tek bedelat e PDLL-së për të bërë gjithë ato zullume me letrat të marra nga prokuroria, letra të cilat në prokurori i kanë çuar drejtoritë tona të të ardhurave, si puna e atyre rasteve të famshme të tvsh-ve fiktive me të vdekur e me të paralizuar që ishin të gjitha raste të denoncuara nga Drejtoria jonë e Tatimeve.
Për të ndjekur penalisht ata të cilët i kishin bërë, dhe ata jo vetëm nuk u ndoqën penalisht, por letrat iu dhanë ‘’Partisë së Lekut’’ dhe “Partia e Lekut” fillojë të bëjë gjithë atë që bëri, duke i hedhur sa më shumë hi e sa më shumë baltë syve shqiptarëve”, deklaroi kryeministri Edi Rama.