Kryeministri Edi Rama ka bërë publik mendimin e një tjetër regjisori të njohur për Teatrin. Kryeministri shkruan se Gëzim Kame ka pasur mendim të qartë prej vitesh për godinën e Teatrit, të cilën vet ai e quan një “ngrehinë ekzistuese”.
Ndërsa pjesa që ka zgjedhur të citojë nga Kame është: “Në asnjë mënyrë të mos pengohet ndërtimi i një teatri të ri, në atë vend ku është teatri ekzistues”.
“Gëzim Kame, regjizor i njohur i teatrit, pedagog e drejtues i katedrës së artit skenik në Institutin e Lartë të Arteve, ku u formua gjenerata e aktorëve të viteve të diktaturës, ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar drama e komedi, shumë të duartrokitura nga publiku. Opinioni i tij për ngrehinën ekzistuese të teatrit është ai që ka qenë denbabaden.
GËZIM KAME: Unë jam dëshmitar i dy kohëve, edhe para 20 viteve i njëjti problem ka qenë. Atëherë u tha që kjo godinë do shembet se nuk e mban zjarrin, do të digjet shpejt, po të njëjtat gjëra. Kreu i aktorëve, Kadri Roshi thoshte:
Aman more na bëni një teatër të ri! Ishte ëndërr e të gjithë aktorëve sepse që në ’46 ka qenë si barakë. Ne shqiptarët kemi fatin që po bëjmë gjëra të reja këtë periudhë dhe po marrim maksimumin e vlerës së Europës. Në asnjë mënyrë të mos pengohet ndërtimi i një teatri të ri në atë vend ku është teatri ekzistues.”, shkruan Rama.