Kryeministri Edi Rama në konferencën e djeshme në krah të Komisionerit për Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha se me këtë të fundit ka diskutuar për ecurinë e procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria do të vijojë të punojë për të arritur qëllimin për tu hapur negociatat me Bashkimin Europian.
“Kemi diskutuar dhe për aspektin tjetër, atë të ecurisë së mëtejshme të procesit të integrimit dhe kemi ndarë së bashku pikëpamjet lidhur me çfarë ka ndodhur në fund të vitit të shkuar dhe çfarë mund të presim nga ky vit, në këtë aspekt. Por, ajo që është e rëndësishme është që ne, Shqipëria, do të bëjmë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar dhe do t’i bëjmë edhe me më shumë vendosmëri sepse kjo për ne është e vetmja rrugë, pavarësisht arritjes ose mosarritjes së konsensusit brenda Këshillit Europian për të marrë vendimin formal për hapjen e negociatave”, tha Rama, duke shtuar se ka diskutuar me Komisionerin edhe për reformën në drejtësi, duke e informuar për ecurinë e këtij procesi si dhe për iniciativën e re që do të aktivizojmë në ditët në vijim.
As KÇK-ja nuk u la pa u përmendur nga Rama, për të cilën ai e ka diskutuar me Komisionerin. “Jemi duke përfunduar diskutimet dhe me ekspertizën ndërkombëtare për të hapur një ofensivë shembullore kundër krimit të organizuar dhe eksponentëve të krimit të organizuar, si dhe kundër atyre gjykatësve dhe prokurorëve, që si në rastin fare të freskët të para dy ditësh, i përkasin organizatës “KÇK” dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme mes sistemit të vjetër që po shembet dhe sistemit të ri, që po ndërtohet nga reforma, për të bashkëpunuar hapur dhe paturpësisht me krimin”, deklaroi ai.
Kryeministri nuk kurseu as falënderimet dhe mirënjohjen ndaj Komisionerit, për mbështetjen që i ka dhënë vendit pas tërmetit të 26 nëntorit. “Mirënjohje për Komisionerin, i cili që në momentin e parë pas rënies së tërmetit, u angazhua personalisht dhe në mënyrë të vijueshme është interesuar drejtpërdrejt për ecurinë e situatës. Ishte pikërisht Komisioneri që në momentin e parë vuri në lëvizje edhe mekanizmin e disbursimit të fondit të parë, kemi vazhduar diskutimin për organizimin e konferencës së donatorëve, e cila do të mbahet në 17 shkurt, në Bruksel e për të cilën Komisioneri, së bashku me Presidentin e Komisionit dhe të tjerët, janë tërësisht të angazhuar”, tha ai.