Kryeministri Edi Rama ka dorëzuar këtë mbrëmje bllokun e parë rezidencial familjeve që humbën strehën nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Programi i rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit nga një fatkeqësi, në kthesë transformimi të zonave të prekura më fort.”-shprehet kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë tha se i gjithë procesi i rindërtimit do të ndryshojë jetën e 33 mijë familjeve.
“Jeta po u ndryshon cilësisht. Janë 33 mijë familje në të gjithë hapësirën ku goditi tërmeti i 26 nëntorit, që ose e kanë humbur plotësisht shtëpinë, ose e kanë parë atë të dëmtohet në nivele të ndryshme dëmi”, tha Rama.
Më tej, kryeministri theksoi se janë mijëra e mijëra qytetarë që kanë hyrë në shtëpi të rindërtuara individuale. Ai shtoi se mbi 500 familje janë vetëm në Bashkinë e Tiranës, dhe mijëra të tjerë me banesa të rikonstruktuara.
“Së shpejt do hyjnë në shtëpi jo vetëm ata të cilët janë në pritje në Ndroq apo në Zall-Herr, tek 5 Maji do jenë familjet që do futen, pasi gjithçka po ndërtohet nga e para. Po kështu edhe me Kombinatin, jo vetëm me projektimin, por edhe më tej.
Ditët e ardhshme do hyjnë në shtëpi banorët e Bubqit, në vend të një situate urbane të degraduar, gjithë ato familje do kenë një hapësirë urbane shembullore, në Fushë Krujë e më tej në Thumanë, në Laç ku është ndërtuar një lagje e madhe dhe vazhdon rindërtimi.
Laçi po bëhet një qytet nga e para. Në lezhë ku ka një bllok të tërë banimi apo në zonën e Kavajës e deri tutje në Mirditë, pranë Rrshenit ku ka një lagje drejt përfundimit, apo lart në Krujë, ku sapo ka nisur puna përtej vështirësive që kishte nga terreni, apo dhe në Durrës ku ka mbaruar puna për riparimet e thella të një numri të konsiderueshëm pallatesh.
Ka filluar puna për pallatet me dëmet më të rënda, ka filluar prej disa kohësh. Në zonën e Spitallës ka nisur puna për një lagje të re. Të gjitha këto janë momente kurorëzimi të një përpjekje që ka zgjatur 2 vjet.
Në këto 2 vjet jeta s’ka qenë e lehtë. I kishim mundësitë që shtëpitë individuale ti mbaronim me kohë, por pati një shtyrje të gjatë. Asnjë familje që kanë qenë të detyruar të lëvizin që ka humbur shtëpinë nuk është lënë vetëm, janë mbështetur me bonusin e qirasë të paguara nga qeveria. Procesi ka pasur vështirësi me procesin e pronësisë dhe për të garantuar proces të drejtë, ata që spostohen nga vendbanimet e mëparhsme të marrin tituj pronësie.”-tha Rama.