Kryeministri Edi Rama ka pritur ditën e djeshme ministrin turk të Mjedisit, Murat Kurum, ku sëbashku nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e 500 banesave. Kujtojmë se presidenti turk pas tërmetit të 20 nëntorit premtoi ndërtimin e 500 banesave për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë deklaroi se Turqia do t’i ndërtojë këto banesa në zonën e Laçit, duke shtuar se do të bëhet një transformim i rëndësishëm i gjithë situatës urbane.
“Sikundër është bërë e ditur dje gjatë një konference për shtyp mes të gjithë ministrave, tanimë jemi në fazën e dytë të këtij projekti dhe kemi ardhur në këtë moment pikërisht të nënshkrimit për të vazhduar me zbatimin e këtij programi bashkëpunimi. Janë 500 njësi të reja banimi që ndërtohen nga miqtë e ardhur nga Turqia me porosi të Presidentit Erdogan dhe ne kemi zgjedhur pikërisht zonën e Laçit ku besojmë se me këtë projekt i hapim rrugën një transformimi rrënjësor në funksion dhe të qëllimit tonë që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi më të mira se ato që kanë humbur”, ka deklaruar dje kryeministri Rama.
Më tej shefi i qeverisë sqaroi se nuk do të bëhet thjesht zëvendësimi i godinave që janë prekur nga tërmeti me godina të tjera të reja, por do të ketë një transformim të së gjithë situatës urbane. Rama deklaroi se në zonën e Laçit do t’i jepet një zgjidhje përfundimtare një problemi të vjetër siç është përmbytja.
“Nuk është thjesht zëvendësimi i godinave të rrënuara, po aty, me godina të reja, por do të jetë dhe një tjetër transformim i rëndësishëm i të gjithë situatës urbane. Ndaj dhe me ministrin kemi folur për një plan më të gjerë, ku nga një anë agjencia e angazhuar për ndërtimin e këtyre 500 njësive do të bëjë të mundura këto 500 njësi banimi, nga ana tjetër ne do të angazhohemi me FSHZH për gjithë infrastrukturën dhe hapësirat publike. Ashtu sikundër kemi folur edhe për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare një problemi të vjetër të trashëguar në zonën e Bashkisë së Laçit që lidhet me përmbytje të shkaktuara në mënyrë të vazhdueshme si pasojë e bllokimit të një kolektori kryesor. Pra është një program kompleks ku të dyja palët do të ndajnë punët dhe bashkërisht do mundemi që në një kohë relativisht të shkurtër të krijojmë një nga shembujt më kuptimplotë të këtij programi rindërtimi”, deklaroi Rama.