Rama: Histori e përsëritur, Becchetti nuk ka për të marrë gjë!
Pas publikimit të lajmit për vendimin e Arbitrazhit në favor të Francesco Becchettit, kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë lajm si histori e përsëritur, që nxirret enkas në medias sa herë që fillojnë fushatat zgjedhore në Shqipëri. Ai theksoi se si zakonisht, Becchetti nuk do të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar.
“Para çdo fushate del që Beccheti i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim, i mori Shqipërisë 170 mln €! Pastaj shokët e tij këtu humbin zgjedhjet dhe kur vjen fushata tjetër del që s’i ka marrë atëherë po i mori tani! Prapë kështu do ndodhë me shokët e mashtros! Deri fushatën tjetër!”, komentoi Rama në llogarinë e tij në “Twitter” për çështjen “Becchetti”.
Balluku: Asnjë shans të mbahet peng Shqipëria nga një kriminel si Becchetti
Në një linjë me shefin e saj, ishte dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku. Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, Balluku deklaroi se shtetet nuk e kanë detyrueshme të zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare administrative në dëm/favor të tyre.
Ndaj, ajo e bëri të qartë se biznesmeni Becchetti nuk do t’i paguhet fatura e dëmshpërblimit 110 milionë euro nga shteti shqiptar. Ajo e cilësoi skandaloze që Shqipëria të mbahet peng nga një kriminel, si Becchetti.
“Më vjen keq që ndjej nota kënaqësie në vendimin e Arbitrazhit. Nuk jemi ajo forcë që dalim themi se del një vendim gjyqi që na e ndryshon. Shtetet kanë të drejtë të mos marrin parasysh vendimet e Eksidit (ICSID).
Nuk ka shans që Shqipëria të merret peng nga një kriminel i këtij niveli”, iu përgjigj Balluku mediave lidhur me lajmin e “fitores së Pirros” së mashtruesit Beçhetti ndaj shtetit shqiptar në Arbitrazhin ICSID.