Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të Ilir Metës, për Portin e Durrësit.
“S’di pse kam ndjesinë që ky shefi i PL (Partisë së Lekut) ka aq shumë njohuri të fshehura për fshehjen e emrave e lekëve, sa nuk i shmanget dot përgojimit deri edhe të dikujt me emër, mbiemër, kapitale e vepra të njohura dhe të respektuara botërisht!
Ai që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit, ka ndërtuar gjysmën e Dubait, kurse ky që e përgojon ka ndërtuar vetëm dy parti, njëra sapo ka ikur për skrap tjetra sapo ka ardhur për lekë!
Kam edhe një ndjesi tjetër: Më duket se kjo tjetra do na lerë shumë më shpejt se e para”, shkruan Rama.
Ilir Meta ka kritikuar projektin e Portit të Durrësit, pasi sipas tij, ajo i është dhënë kompanive guaskë. Sipas Metës, pronarët janë të fshehur në offshore, teksa nuk i dihen kapitalet e investimit.
Meta tha se Rama në vend që të zgjidhte kompanitë prestigjioze evropiane, zgjodhi një kompani me pronar të fshehur, me qëllim për të realizuar amnistinë fiskale të parave të pista dhe për të shpërblyer segmente të krimit.