Kryeministri Edi Rama tha se Sali Berisha e di që më 11 Maj do të marrë disfatën më të madhe që nga 1997. Në fjalimin që mbajti para grave dhe vajzave, kryesocialisti u shpreh me ironi se menjëherë pas zgjedhjeve, do të fillojnë edhe të flasin për vjedhje votash pasi s’do pranojnë humbjen.
“Bufi e di më mirë se unë, ju e të gjithë që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata dhe disfatën më 11 maj do ta ketë më të madhen që nga ‘97. Magjia do t’i ndodhë por për së prapthi dhe pastaj hajde e dëgjoi se na kanë bërë magji, na i morën se i kishim në kuti.”, u shpreh Rama.
Më tej, kreu i qeverisë ironizoi Aleancën e tyre madhështore. Sipas tij, deri në ditën e zgjedhjeve do të flasin për premtime madhështore, por pas kësaj dite, do të ankohen për vjedhjen madhështore.
“Si mundet seriozisht, se kam me ju por me ata që duhet ta dëgjojnë këtë, si mundet një njeri normal, që ma minimumin e respekti për veten e vet, sidoqoftë deri këtu si mund ta marrin seriozisht dhe t’i japin votën një force politike që e quan veten aleanca madhështore. Të mendosh se çfarë emri do t’i vësh kësaj, ne jemi madhështorë dhe më pas slogani thotë për Peqinin madhështor, për Mamurrasin, për Shkodrën e Vlorën madhështore. Këtë lloj fushate dhe slogani e prodhon vetëm një çmendinë, aty ku njëri thotë jam Napoleon Bonaparti tjetri Gjon Kastrioti.
Si mund të dalë një nga shtëpia, ditë e diel, zgjohet edhe vishet…e kam me burrat se gratë nuk kanë për të shkuar atje, rregullohet edhe vishet dhe hedh votën në një kënetë kaq madhështore dhe kthehet krenar dhe thotë mbaroi sot, u mbyll epoka e Edvin Kristaq Ramës. A i ka Shqipëria vërtet kaq shumë budallenj, që ta bëjnë gjithë këtë. Se që ka në krye të tyre një tufë delirantësh që mendojnë se janë madhështorë, këtë e morëm vesh, por janë kaq shumë budallenjtë që iu shkojnë pas, ky do të jetë kurioziteti i tyre më 11 Maj. Si gjithmonë premtime dhe për betime madhështore deri ditën e zgjedhjeve, më pas fillojnë thirrjet madhështore në darkë, do të dalin edhe disa makina madhështore me flamuj, dhe më pas fillojnë klithmat madhështore për vjedhjen madhështore të një fitoreje madhështore deri në zgjedhjet e tjera”, tha Rama.