Kryeministri Edi Rama gjatë paradites së djeshme ka prezantuar pikat e Paketës së Rezistencës Sociale me përfaqësuesit e biznesit të vogël në qytetin e Durrësit, duke theksuar sërish faktin se biznesi i vogël është aleati më i madh i qeverisë, prandaj dhe i ka taksat zero.
Gjatë fjalës së tij Rama përmendi protestat që po zhvillohen ditët e fundit për rritjen e çmimeve, kryesisht të naftës, duke thënë se edhe ata që i instrumentalizojnë këto e dinë shumë mirë që kriza është pasojë e luftës, ndaj dhe turpi i tyre është më i madh, që nxjerrin njerëz në kohën kur kemi një përplasje ushtarake në Europë.
Ai theksoi se nuk mjaftojnë 100 veta, duke iu referuar protestës të së martës, ku kishte një pjesëmarrje të vogël nga ana e protestuesve, por edhe sikur në sheshin “Nën Tereza” të dalin 100 mijë veta, taksa e naftës nuk do të hiqet, sepse diçka e tillë nuk është e mundur për momentin.
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar ish-kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha dhe Presidentin e Republikës Ilir Meta, se po nxisin protesta mbi fakte të paqena dhe se do të marrë sërish më qafë popullin siç e bëri në kohën kur udhëhiqte me firmat piramidale, ku mijëra shqiptarë humbën të ardhurat e tyre dhe pasojat ndjehen akoma. “Me një faturë me çmimin real të energjisë 95 mijë njerëz ne i nxjerrim në rrugë.
Për çfarë, për të hequr taksën e karburantit? Për ata që shkojnë e ulërinë dhe nxjerrin fakte të paqena në protestë dhe i shtynë për të shtunën për të lejuar foltoret dhe fallxhoret të organizohen dhe të furnizoheshin me naftë. Jo 100 veta si mbrëmë por 100 mijë veta të vijnë nuk hiqet taksa e karburantit.
Jo se nuk dua unë, por nuk është e mundshme. Ai që i bën këto ai nuk është udhëheqës i popullit të vet, por është nga ata udhëheqës që marrin në qafë popullin e tyre dhe ata që e kanë marrë më qafë popullin me gropat e Sudes e kemi ende gjallë mes nesh”, tha ai. Rama: Kjo protestë është një turp kombëtar.
Kryeministri sulmon protestuesit
Kryeministri në takimin e djeshëm, pasi e konsideroi protestën si një absurd në këto kohë dhe se është një turp kombëtar, ironizoi protestuesit që mblidhen çdo ditë përpara Kryeministrisë se gjatë protestave dëgjon gjithmonë të njëjtat zëra “Rama ik”, ndërsa tha se nuk do të largohet sepse ka “frikë” se lë pikërisht këta të fundit pa tekst. “Kjo protestë e kësaj radhe përveçse ka brenda gjithë absurdin mungesës së dakordësi me faktet, është turp! E them me plot gojën, është turp kombëtar.
E kuptoj, kaluan 1 muaj, 2 muaj dhe qeveria nuk reagoj, por kur unë dalë në fillim të javës sapo ka filluar të shfaqet gjëja, se do të merren disa masa. Brenda javës ju thamë do t’iu japim skenarët për ta përballuar këtë, menjëherë vihen në lëvizje disa personazhe që më vijnë poshtë penxheres që iu njohë edhe zërat. Pastaj këndojnë himnin, do dali dhe ndonjëri me flamur.
Janë njerëz, disa prej tyre, janë personazhet që po ti shpesh pak se nga vijnë është për të vënë duart në kokë, por s’dua të merrem. Dy gjëra i kanë fiks, “Poshtë komunizmi” dhe “Rama ik”, unë s’duhet të iki se këta do mbeten pa tekst”, tha kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Paketës të Rezistencës Sociale me biznesin e vogël.