Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë vijuar edhe dje përplasjet me njëra-tjetrën sa i takon paketës anti-KÇK, e cila u miratua nga qeveria në formën e aktit normativ. Fillimisht, ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili iu është përgjigjur kritikave nëpër media në lidhje me ngritjen e njësisë anti-KÇK. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi mesazhin e një qytetari, që thotë se ndihet i tronditur nga shpifjet dhe akuzat ndaj paketës anti-KÇK.
“A janë njerëz këta a ça janë?”, më shkruan një qytetar i tronditur nga komentet e studiove televizive kundër paketës anti-KÇK! Eh, kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet e TV sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë”, shkruan Rama.
Më tej kryeministri Edi Rama shigjetoi analistët, duke thënë se sot bëjnë avokatin e krimit. “Njerëz janë njerëz, po janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë! Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lënë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor. Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet e TV për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre, të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua, me PS e me çdo fitore elektorale të PS”, deklaroi Rama. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i selisë blu. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kritikuar ligjin anti-KÇK.
Bardhi shprehet se Edi Rama është kreu i KÇK dhe që bashkëqeveris me krimin. “Karriera politike e Edi Ramës i ka themelet tek krimi. Si avokat i krimit, me Vasilika Hysin dhe Etilda Gjonajn në Komitetin Shqiptar të Helsinkit, në vitin 2010, Edi Rama e ankimoi Ligjin Antimafia në Gjykatën Kushtetuese me shqetësimin se shkelte të drejtat e anëtarëve të krimit të organizuar. Sot në qeverisje, anëtarët e grupeve mafioze më të rrezikshme në vend, po fitojnë një e nga një lirinë, sepse drejtori i burgut të Edi Ramës dhe kryetari i bashkisë së Edi Ramës kanë dalë garantë për sjelljen e mirë të kriminelit të rrezikshëm, që ka blerë vota për Edi Ramën. Shqiptarët nuk kanë sot asnjë dyshim se Edi Rama është kreu i KÇK-së. Ai bashkëqeveris me krimin e organizuar, i jep krimit pushtet politik, tendera, koncesione dhe pasuri publike”, deklaroi Bardhi.