Kryeministri i ka dërguar një tjetër mesazh dje presidentit Ilir Meta dhe opozitës sa i takon datës së zgjedhjeve vendore. Duke folur në Finiq në kuadër të fushatës elektorale, Rama e bëri të qartë se zgjedhjet do mbahen më 30 qershor dhe askush nuk do e kthejë pas Shqipërinë.
“Do bëhen zgjedhje ne gjithë territorin, do fitojë Kristaqi ne e dimë rezultatin jo se bëjmë ato për të cilat akuzohemi, por se jemi të organizuar kemi siguri në këtë. Përpjekja për ta kthyer Shqipërinë pas nuk ka asnjë shans se nuk ka popull.
Ata nuk janë absolutisht mbështetës të rrumpallës kaosit e dhunës, s’ka si të jenë”, tha ai. Duke u ndalur te përplasjet e ditëve të fundit dhe sulmet ndaj institucioneve, shefi i qeverisë tha se ata që nxisin dhunë do shkrihen. Ai kërkoi nga qytetarët që të distancohen nga skenarët e PD-LSI.
“Kush i fryn zjarrit të dhunës është i destinuar të tretet në atë zjarr. S’ka shans që në Shqipërinë e viteve ’90 të fitojë dhuna e kaosi. Në 30 qershor Shqipëria do bëjë zgjedhje. Është e rëndësishme që populli t’i thotë jo politikës së dhunës e rrëmujës, të sharjeve akuzave shpifjeve e të baltës 30 qershori do jetë një ditë normale edhe sikur të ketë shfaqje sporadike, orvatje të dëshpëruara do jenë të pafuqishme.
Ju premtoj, e më keni me provë, do vij përsëri siç kam ardhur për të ndjekur ecurinë e punëve që do të bëjmë me Kristaq Kiçon”, u shpreh Rama. Teksa prezantoi kandidatin për kryetar bashkie në Finiq, Rama thumboi edhe liderët e opozitës, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin duke thënë se ata kanë gabuar më shumë se kryetari i Bashkisë së Finiqit për të cilin tha se i është hequr disa vërejtje.
“Më vjen mirë që sot bëjmë këmbimin e pozicioneve. Deri dje ka qenë Kristaqi dhe të gjithë miqtë e tij që kanë mbështetur kandidatët tanë, qoftë në zgjedhjet për bashki. Sot jemi ne që bëjmë të njëjtën gjë sepse jemi aleatë strategjikë në këtë zonë. kemi vetëm për të bashkuar zemrat për të bërë sa më shumë për njerëzit e kësaj zone. Më vjen keq që përballë Kristaqit është dikush që është bërë kryetar bashkie me votën e Kristaqit.
Nëse do kishte shkëlqyer në drejtimin e bashkisë dhe do na kishte lënë pa gojë në punën e tij sot do ishim pa fjalë, sepse bëri punë dhe shkëlqeu në projekte që ia bëmë ne dhe tani me të drejtë thotë se si ka mundësi ta lë punën përgjysmë”, tha Rama.