Kryeministri Edi Rama u është drejtuar sot me një mesazh qytetarëve lidhur me akuzat e bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për fshehje të numrit të viktimave në spitalet COVID, duke mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë.
Në mesazhin e tij Rama tha se COVID-19 është një sprovë e madhe që po sulmon egërsisht të gjitha shtetet dhe sistemin shëndetësore. Rama shtoi se është krenar për të gjithë qytetarët për reagimin e tyre në këtë krizë të rëndë që ka goditur vendin.
“Unë jam sinqerisht krenar për ne si popull që kemi reaguar në të dyja rastet (tërmeti dhe COVID) për mënyrën se si kemi reaguar. Jam shumë krenar si kryeministër se si forcat e këtij shteti janë vënë në dispozicion të qytetarëve. Jam krenar për çdo mjek në vijën e parë dhe çdo mjek familje”, tha ai.
Më tej kreu i qeverisë opozitën e quan një “pakicë e zhurmshme” dhe shton çdo shpifje që hidhet kundër tij nuk e dëmton por e bën më të fortë.
“Një pakicë e zhurmshme çdo ditë shan e qëllon me gurë ata që rrinë pa gjumë e punojnë çdo ditë. Nuk jam këtu për t’u për t’u ankuar për baltën dhe për pështymat që marr çdo ditë nga pakica e zhurmshe. Mua të sharat nga pakica e zhurmshme më bën më të fortë.
Thonë që unë nuk i dua kurrë kritikat, por e kanë gabim. Unë nuk duroj dot sharjet dhe këto ma ndezin gjakun. Dikush e quan dhe arrogancë kur unë përballem me shpifësit, por është pasioni i madh për punën që bëj.
Ne mund të kemi opinione të ndryshme për punën, dhe kjo është demokraci, por nuk mund të shahet dhe të shpifet. Ne nuk mund të ndahemi për numrin e të vdekurve dhe të bëhet politike me foto nga morgu”, shtoi Rama.
Në mesazhin e tij, Rama përgënjeshtroi akuzën e Bashës se po fshihen viktimat, duke i cilësuar sulmet si një akt të turpshëm, që ”tejkalon demokracinë”, një “lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si vend, episod i shëmtuar i luftës për pushtet, që nuk duhet harruar nga asnjë shqiptar”.
Kryeministri akuzoi opozitën dhe presidentin duke thënë se sipas tij, akuzat e pabaza, me fotografi “klandestine” nga morgu, tregojnë “ka një dobësi të frikshme të karakterit të opozitës.
Viktimat nuk janë kuti këpucësh që mund t’i fshehim, ata nuk treten në ajër. Mjekët në front të parë nuk janë si këshilltarët e presidentit që shpërndajnë lajme të rreme, nuk fshihen viktimat si u fshinë videot e kryeministrisë në 21 janar. Opozita dhe presidenti po bëhen palë me COVID-19 për të rrëzuar qeverinë”.
Rama cilësoi akuzat edhe si të rrezikshme për vetë mjekët sepse “nxit urrejtjen ndaj tyre”.
Kreu i qeverisë mohoi që të jenë fshehur numrat e viktimave nga COVID, duke thënë se qeveria nuk ka as mundësi praktike dhe as teorike ta bëjë një gjë të tillë.
“Të dalësh e të thuash që qeveria po fsheh numrin e të vdekurve është çnjerëzore. Sa do i dobët qoftë karakteri i lidershipit të një partie, si mund të cenohet integriteti njerëzor, jo profesional i një armate të madhe mjekësh që kanë harruar familjet e tyre.
Si mund t ë bjerë kaq poshtë qenia politike dhe të provokojë deri në palcë çdo familje që kanë humbur të dashurit e vetë dhe të fusë tmerrin për ata që kanë të sëmurë të afërmit. Ky nuk është karakteri i këtij i vendi, nuk është karakteri i këtij populli, e as i politikës në vetvete.
S’ka më turp se kaq. Por dhe këtë nuk e thua dot më, në fakt në këtë pikë nuk është e imagjinueshme se ku mund të shkojë paturpësia e këtij vendi. Pse ça janë këta që vdesin vota që humbasin gjatë votimit të zgjedhjeve në PD, apo kuti këpucësh që mbushen me lekë në Lalëz e shpërndahen në burime mediatike.
Nuk ka asnjë mundësi teorike dhe as praktike që qeveria të fsheh numrin real të viktimave. Ashtu siç nuk ka asnjë parti politike që të përcaktojë diagnozën e vdekjeve të pacientëve në spital. Nuk është hera e parë, por është kulmimi i një serie rastesh sulmesh, që ngre akuza për thirrjen e Prokurorisë. Mjekët sot kanë nevojë për solidaritet dhe kjo e kalon neverinë e politikës”, tha ai.