Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se të hënën e ardhshme do t’i drejtohet Knessetit, parlamentit të Izraelit, në një seancë të posaçme dhe në një format të rrallë, i rezervuar për një numër shumë të kufizuar udhëheqësish botërorë.
Gjatë një deklarate publike, Rama theksoi se do të flasë në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, duke e cilësuar ftesën si një nder të veçantë për vendin.
“Dua t’ju informoj se të hënën e ardhshme do të kem një nder: do t’i drejtohem Knessetit, parlamentit izraelit, si kryeministër i Shqipërisë, pa lejen e këtyre”, u shpreh Rama, në një koment ironik ndaj kritikëve të tij politikë.
Sipas kryeministrit, fjalimi do të zhvillohet në të njëjtin format që më herët i është rezervuar edhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe një numri shumë të kufizuar liderësh botërorë në historinë e këtij institucioni ligjvënës izraelit.





