Është e ditur tashmë se pas bllokimit të Gjykatës Kushtetuese të mbetur me vetëm 2 anëtarë edhe Gjykata e Lartë doli jashtë loje (mbetur me 4 anëtarë) pasi nuk mund të shqyrtojë më çështje në themel për të cilat duhet një trupë me 5 anëtarë.
Shqetësimin e ka ngritur prej kohësh opozita sipas së cilës mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë është dhënie më shumë pushtet qeverisë. Por duket se kjo nuk e shqetëson kryeministrin Rama.
I ftuar në emisionin “Përballë” në TVSH, Rama deklaroi haptas se nuk është aspak i shqetësuar.
“Nuk më shqetëson fare, pasi ky pushtet i kalbur që u ka nxirë jetën shqiptarëve masivisht dhe është duke u çmontuar në mënyrë rrënjësore. Ky fakt është i mjaftueshëm për të përballuar boshllëkun e përkohshëm, edhe të metat e procesit… të tjerat janë muhabete të cilat s’ja vlejnë t’i japim kohë.
Shumëkush thotë që “ca ishte kjo, pse vetëm pushim nga puna, këta njerëz që janë korruptuar”. Vettingu nuk është gjykatë, por bën pastrimin. Prokuroria e gjykata e pastruar patjetër që do të japin vendime e ndëshkime që do të japin edhe për këta njerëz edhe për politikanët.
Kam folur lidhur me faktin që ka një kuje të përgjithshme për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë… por jemi në operacion! Po pastrohen këto gjykata dhe nuk mund të kishte njëkohësisht edhe pastrim edhe ndërtim. Ndërtimi është në proces.
Meqë folëm për ndërtimin e Teatrit, po pastrohet sheshi i ndërtimit dhe më tutje do të krijohet një Gjykatë Kushtetuese dhe e Lartë e pastër.
Më mirë këto gjykata të mbushura me llum apo një periudhë tranzicioni për pastrimin dhe një “restart” me njerëz që e kanë kaluar skanerin e imët të vettingu. Askush nuk ka dalë kundër të thotë që po bëhet keq pastrimi”– tha Rama.