Kryeministri Rama i ka bërë thirrje presidentit serb që të zbatojë marrëveshjen e dakordësuar me Prishtinën lidhur me reciprocitetin mes palëve për sa u përket targave dhe dokumenteve.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin spanjoll Sanchez, kreu i qeverisë tha se Vuçiç nuk duhet të ushqejë asnjë lloj justifikimi apo mbështetjeje për grupe të caktuara në veri të Kosovës që kundërshtojnë zbatimin e marrëveshjes për synime e qëllime të caktuara.
“E përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, gjë është kërkuar edhe nga amabasadori amerikan në Prishtinë.
U bëj thirrje autoriteteve në Beograd, presidentit serb të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi apo alibie grupesh të caktuara në veri të Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje që duhet zbatuar edhe për t’i dhënë besueshmëri dialogut mes palëve” – tha Rama.
Kryeministri ka përsëritur mbështetjen për qeverinë e Kosovës lidhur me situatën në veri të vendit duke theksuar se Prishtina ka të gjithë të drejtën dhe detyrën që të mbrojë sovranitetin në gjithë territorin e saj.
Kreu i qeverisë tha se marrëveshja në fjalë është dakordësuar mes palëve gjatë bisedimeve në Bruksel dhe ajo duhet zbatuar nga Beogradi.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se pavarësisht marrëdhënies miqësore me presidentin serb Vuçiç, kjo nuk e pengon atë që të të ndahet me të për çështjet ku nuk janë dakord.
“Ngjarja e djeshme është pasaqyrë e vështirësisë së thellë që ka në këtë marrëdhënie. Ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës bazuar në marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës e Serbisë lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi është një detyrë dhe e drejtë e institucioneve të Kosovës dhe në këtë pikë e mbështes 100% qeverinë e Kosovës që kërkon që marrëveshja të zbatohet.
Përgëzoj Albin Kurtin për sensin e vetëpërmbajtjes dhe dëgjimin e aleatëve që këshilluan një shtyrje 30 ditore për t’i dhënë kohë që të sqarohet gjithçka. Këto situata nuk tregojnë që Ballkani i hapur është i panevojshëm apo i gabuar. Ato nu tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e paqes është e panevojshme.
Ato tregojnë pikërisht pse Ballkani i Hapur duhet. Pse Kosova duhet të vijë të ulet në tavolinën e Ballkanit të Hapur. Me presidentin e Serbisë marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord.” – tha Rama.