Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm në faqen e tij të ‘Facebook’-ut një artikull të Euronews për bunkerët e ndërtuar në kohën e regjimit komunist. Kreu i qeverisë thekson se shqiptarët zgjodhën me kurajo për të bërë përpara, duke lënë pas të kaluarën e hidhur.
“MIRËMËNGJES 😀
dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të Euronews për shqiptarët dhe për forcën e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që mbi të kaluarën e hidhur zgjedhin kurajon për të bërë përpara duke ndjekur ëndrrat dhe idetë e tyre krijuese🌹”, citohet në mesazhin e Ramës.
ARTIKULLI
NJË PËRDORIM I RI PËR BUNKERËT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI
Enver Hoxha, udhëheqësi komunist i Shqipërisë, urdhëroi ndërtimin e 173 371 bunkerëve midis viteve 1975 – 1983. Sot, ato përdoren si bare në plazhe, restorante, depo dhe muzeume.
Kujtim Roçi, pronar i një hoteli në zonën bregdetare të Golemit, nuk ka për ta fshirë nga kujtesa vitin 1992. Ishte viti kur djali i tij i madh, Elesio lindi dhe po këtë vit nisi një biznes të vogël në breg të detit.
Menjëherë pas rënies së komunizmit, Roçi vendosi të transformojë një nga bunkerët që ndodheshin në plazhin e Golemit në një bar, në një përpjekje për të bërë pak para për të kapërcyer ato kohë të vështira.
Ndërkohë që shumë nga miqtë qeshnin me këtë ide, biznesi i tij filloi të rritej me të shpejtë. Barin e fillimit e ktheu në një restorant, i cili më pas u shndërrua në një hotel trekatësh, i ndërtuar përreth bunkerit. Hotelit i vuri emrin e të birit, Elesio.
“Kjo copë betoni më bërë ky që jam sot,” – thotë Roçi, duke treguar një pjesëz bunkeri ende i dukshëm në hyrje të hotelit.
Bunkeri mbi të cilin Roçi ngriti dhe zhvilloi perandorinë e tij të biznesit është vetëm një nga mijëra vendstrehime betoni kryq e tërthor Shqipërisë, mbetje jetëgjata të periudhës komuniste.
Nën frikën e një pushtimi të huaj, udhëheqësi komunist Enver Hoxha urdhëroi ndërtimin e 173 371 bunkerëve midis viteve 1975 – 1983 si vendstrehime për shqiptarët, por edhe si llogore lufte.
Gjithsesi, sulmi nuk ndodhi kurrë!
Në fakt, vetëm atëherë kur shqiptarë si Roçi filluan t’i kthenin bunkerët në bare, restorante, depo, strehëz për qentë dhe muzeume, këto struktura filluan të shfrytëzoheshin.
Në 2014-ën, një bunker gjigand në periferi të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, u shndërrua në një muzeum, Bunk’Art.
I ndërtuar për Enver Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij, ky kompleks i fshehtë është kthyer në një hapësirë kulturore për ekspozita, shfaqje e koncerte. Sot, ai tërheq numër të lartë turistësh dhe klasifikohet si atraksioni nr.1 i Tiranës nga TripAdvisor.
Duke parë suksesin e Bunk’Art, operatori i tij, Shoqata shqiptare “Qendra Ura” hapi në nëntor të vitit 2016, një tjetër muzeum në qendër të Tiranës, Bunk’Art2. Vendi ku ngrihet Bunk’Art2 është një ish bunker anti-nuklear që i përkiste Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Bunk’Art është një nga dëshmitë më të mira të projektit të “bunkerizimit” të Hoxhës.
Ndërtimi në formë kubeje i hyrjes së muzemit u vonua për shkak të protestave politike kundër asaj që disa e quajtën “nostalgji për kohët e dhunshme të së shkuarës”.
Për t’iu kundërvënë këtij perceptimi dhe për t’ia përshtatur ato Shqipërisë moderne, disa artistë vendas gjithashtu i kanë shfrytëzuar bunkerët për të promovuar mesazhe pozitive dhe prosperiteti.
“Treffpunkt Bunker Project”, i drejtuar nga një grup studentësh gjermanë, bashkoi disa artistë shqiptarë, të cilët pikturuan dhe ri-dizenjuan pjesë të një bunkeri, të vendosur mbi një kodër që sheh mbi Tiranë.
“Edhe nëse ka pasur shumë trishtim dhe shumë ankth në atë periudhë, njerëzit sërish kishin gjetur mënyra si të gëzonin jetën dhe unë kam dashur të kap kujtimin tim të asaj kohe,” – thotë një prej artistëve, Stela Sulioti, e cila qëllimshëm ka përdorur ngjyra të ndritshme.
Arkitekti Arnen Sula, prej shumë kohësh ka qënë në kërkim për mënyra të ndryshme të ripërdorimit të bunkerëve, të cilat variojnë nga sallone tatuazhesh në strehë për kafshët. Ai thotë se disa bunkerë, të cilët janë shkatërruar pas rënies së regjimit komunist, duhen lënë siç janë.
“Ato tregojnë zemërimin e popullit me të kaluarën tonë komuniste dhe me vështirësitë ekonomike, kështu që, ata morën ç’të mundnin si mobiliet, kabllot elektrikë, pajisjet e aspirimit, madje edhe tullat,” – shpjegon ai.
Por Sula mendon se bunkerët që ende janë në gjendje të mirë mund të ndihmojnë ekonominë, duke u shndërruar në ferma të të mbyllura, dhoma frigoriferike, kinema, hotele, salla ekspozitash dhe seminaresh.
“Kjo mund të krijojë punësim, të nxisë turizmin dhe ekonominë në zonat ku ndodhen bunkerët,” – thotë ai.