Kryeministri Edi Rama sot ka zgjedhur që të publikojë fjalët e aktorit të njohur Reshat Arbana, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për projektin e Teatrit të ri Kombëtar.
Arbana në një deklaratë të disa kohëve më parë ka thënë, se në Shqipëri duhet një Teatër i ri, që të jetë i mirë dhe aktorët të ushqejnë popullin me emocione.
Rama këtë deklaratë të Arbanës e quan një mbështetje të artistit për një Teatër të ri dhe shembjen e godinës ekzistuese.
“Njëri ndër idhujt e publikut shqiptar, aktor i gjeneratës së yjeve të një kohe kur mjeshtëria artistike i jepte kuptim kornizës së absurdit socrealist, Reshat Arbana i përket historisë së skenës e të ekranit.
Por raportin me vlerat e historisë dhe respektin mjeshtrat e skenës, ai nuk e sheh aspak të lidhur me muret prej tallashi të karakatinës së sotme të Teatrit Kombëtar.
Përkundrazi, njësoj si të tërë artistët e vërtetë të skenës, aktori i madh mbështet prej shumë kohësh ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, në hapësirën ku i vjetri e ka kryer e humbur përfundimisht funksionin e tij.
RESHAT ARBANA: Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër.”, shkruan Rama.