Kryeministri Edi Rama vijon mbështetjen e tij ndaj procesit të Reformës në Drejtësi, duke përdorur madje edhe çdo mjet komunikimi për t’ju kundërpërgjigjur të gjithë atyre që hedhin baltë mbi ecurinë e këtij procesi.
Përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët, intervistave televizive, rrjeteve sociale dhe së fundmi instagramit, kreu i ekzekutivit vijon të qëndrojë i palëkundur në deklaratat e tij.
Herë me tone të ashpra të shprehura përmes deklaratave politike, e herë ironizues, duke qëndruar në koherencë me faktin se procesi i Vettingut ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme e që nuk mund të ndalet.
“Selia e Përkthimeve të Gabuara e di raportin vjetor të Departamentit të Shtetit për 170 vende, ferman kundër qeverisë Do luftë kundër korrupsionit e lufton Vetingun”–ka qënë ky statusi i Kryeministrit Rama në facebook ku dhe ka theksuar se do apo nuk do partia demokratike plagët po luftohen si kurrë më parë.
Por, përmes një video postuar sot në instastory, Rama ka përzgjedhur një fragment nga filmi “Njeriu me Top” dhe sipër ka vendosur mbishkrimin:
“Ai momenti kur gjylet e Vetingut të prishin folenë e gjarpërinjve në pallatin e Drejtësisë…”
Statusin e Kryeministrit e pason në sinkron, batuta epike e artistit të popullit Kadri Roshi në rolin e “Plakut Mere”:
“Eh, unë s’mund të bëj gjë tjetër veçse të qesh”!