Kryeministri Edi Rama në takimin në Shkodër tha se deri në 2029 biznesi i vogël nuk do të paguajë taksa. Rama tha gjithashtu tavani do të qëndrojë i pandryshuar në vlerën 140 mijë euro. Më tej shtoi se për ata që kalojnë 140 mijë euro, po punohet për një ide të re për të krijuar një periudhë lehtësie. Ai u shpreh se janë rreth 700 mln euro që i janë lënë biznesit të vogël dhe nuk i janë marrë në arkën e shtetit.
“Për të mbyllur me biznesin e vogël, unë besoj se në këtë pikë nuk ka gjë për të shtuar, sepse është i vetmi biznes i vogël në rajon me taksa zero dhe me tavanin 140 mijë euro me taksa zëro. Janë tarifat e bashkisë, por këto tarifa i paguan edhe një familje. Unë e kam thënë që deri në 2029 do qëndrojë zero.
Janë rreth 700 mln euro që i janë lënë biznesit të vogël dhe nuk i janë marrë në arkën e shtetit. Pa llogaritur 140 mln euro në vit që i janë lënë punonjësve me ndryshimin e regjimit fiskal, nga taksa e sheshtë 10% në taksën progresive. Taksa progresive është më impenjative që fitojnë më shumë. Por në fashën që prek 98 % të punonjësve, taksa është një ose zero deri në 10%. Për këtë arsye 140 mln euro në vit i janë lënë në xhep punonjësve.
Edhe tavanin nuk do ta prekim, edhe sistemi do mbetet njësoj. Deri në 100 mijë euro do jetë pa TVSH. Jemi duke punuar një ide të re për të krijuar një periudhë lehtësie atyre që kalojnë mbi 140, por këtë do të duhet ta konsultojmë. Atyre që kalojnë 140 mln ti japim mundësinë të deklarojnë më shumë, që mos detyrohen të fshihen”, tha Rama.