Duke e cilësuar regjimit diktatorial, Meta bëri edhe një paralele mes Ramës dhe Lukashenkos duke thënë se gratë shqiptare do të ngrihen edhe më fortë se ato të Bjellorusisë.
”Tani mirë keq, ju e keni Presidentin. Edhe sikur të mos e kishit Presidentin, të kishin mbaruar gjithë burrat në Shqipëri, jam i sigurt që gratë e Shqipërisë do ua kalonin atyre të Bjellorusisë.
Se kur ngrihen dhe gratë e Bjellorusisë në një regjim diktatorial që nuk e kanë provuar kurrë demokracinë, gratë e Shqipërisë e nënat e Shqipërisë, atyre që duan t’u bëjnë të zezën Shqipërisë, do u bëjnë të duket e madhe dhe vrima e vrimës së miut. Prandaj mos u shqetësoni, Presidenti është këtu, unë nuk fle gjumë deri më 25 prill.”- tha Meta.
Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, Meta i ka cilësuar të njëanshme dhe të ngjashme me grushtin e shtetit, por i ka kujtuar se grushti i popullit është më i fortë.
“Për zgjedhjet për mua kanë rëndësi vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vendosje e legjitimitetit në vend, kjo është një kërkesë ultimative dhe një e ardhme e qetë, me prosperitet për shqiptarët që janë lodhur, përçarë kaq shumë dhe i ka larguar më shumë nga vendi. Para pak ditësh lexova një artikull dramatik se në Shqipëri po ikin më shumë njerëz tani se në vitet ‘90.
Kërkoj t’i qëndrojmë marrëveshjes së arritur në 5 qershor, të mos devijojmë asnjë milimetër, të mos përdorim gjoja lista të hapura për të prishur marrëveshjen. Përshëndes opozitën që ka qenë e hapur për lista 100% të hapura. Në rast se mazhoranca nuk dëshiron të hapë listat e saj s’ka pse pengon forcat e tjera të hapin listat.
Nëse kemi një shkelje të njëanshme si me rastin e ndryshimeve kushtetuese atëherë është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grusht i popullit, është më i madh grushti i popullit”,- u shpreh Meta.