Kryeministri Edi Rama ka sulmuar dje kandidatët e opozitës për zgjedhjet e 25 prillit. Në një konferencë për shtyp, Rama deklaroi se ka mbetur i zhgënjyer nga lista e kreut të PD, Lulzim Basha ku nuk nguroi të flasë dhe me emra të përveçëm.
Kryeministri u shpreh se lista e PS është një listë e vetë ndryshimi ndërsa ajo e PD një listë fosilizimi. Ai tha se PD nuk po ofron dot gjë për shkak të një drejtuesi pa karakter dhe pa vizion duke iu referuar kështu Bashës. Ndërsa për LSI, kreu i qeverisë tha se në ditët e sotme është kthyer në një magazinë private që administrohet nga Monika Kryemadhi, e cila sipas tij shet dokrra dhe blen vota.
Rama tha se lista e LSI është lista e SPAK dhe OFL. “Skuadra e PD-së është zhgënjyese për mua. Nuk besoj që kjo ishte maksimumi që mund të bënte PD pavarësisht situatës së vështirë ku ndodhet për shkak të një lideri pa karakter dhe pa vizion se nuk besoj që rrethi i perimetrit të influencës së PD të jetë aq i ngushtë dhe që të mos ketë të ofrojë më shumë sesa kaq. Pra nëse lista e PS është fuqia e vetë ndryshimit, afirmimi i fosilizimit është PD, ndërsa e LSI është lista e SPAK dhe OFL.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, më vjen keq për shumë të rinj dhe të reja që janë si mezet rreth karkalecave të tiganit të Monikës, kurse karkalecat janë aty në qendër, afirmim i një katandisje keq e mos më keq të një force politike që ka luajtur rolin e saj në proceset demokratike dhe sot është një magazinë private që administrohet nga gruaja e presidentit që shet dokrra dhe blen vota”, tha ai.
Rama ironizon Idrizin
Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë konferencës nuk ngurroi dhe të komentonte emrat kryesorë në listat e Partisë Demokratike. Rama ironizoi kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi duke thënë se ngrihet në drekë nga gjumi dhe i hap luftë Greqisë për çështjen e Çamërisë, por në fakt e përdor postin e deputetit për të shitur vende pune. “Kapiteni është Sali Berisha dhe ku janë me radhë fosilet e Shqipërisë, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, dhe natyrisht Desdemona Mesila, Dash Shehi.
Shpëtim Idrizi, sekseri i Çamërisë që zgjohet nga gjumi në orën dy dhe del i buhavitur dhe i hap luftë Greqisë dhe pastaj shkon zyrë më zyrë për të kërkuar vende pëllumbash në administratë që t’i shesë majtas e djathtas. Kjo është një skuadër që njëri të mos dehet në stol, tjetri të mos marrë stolin, tjetri të mos vjedhë stolin”, tha Rama. Por kryeministri duket se ka sfiduar hapur Idrizin, pasi kandidat i PS në Tiranë është Tahir Muhedini, i cili ka qenë pjesë e PDIU. Ai është renditur i fundit dhe do të ketë një betejë personale për ta siguruar mandatin jashtë listës fituese. E sigurt është që Muhedini do marrë mijëra vota në kryeqytet duke i dhënë goditje të fortë Idrizit.
Rama sulmon Mediun, Dodën e Dulen
Ndërkohë Rama dje ka sulmuar dhe aleatët e tjerë të PD, duke mos kursyer as Mediun apo Dulen. “Me këtë Shqipëria fiton? Me Fatmir Mediun? Me atë fitojnë pronarët që ka që ditën që vdiq Sabri Godo që i mori vulën e futi në xhep dhe me atë vulë vetëm një certifikatë prone, vendin si deputet në parcelën e PD-së, Vangjel Dule ça do në Tiranë, apo se nuk e voton më asnjë minoritet në Sarandë e Gjirokastër.
Mesilën e kuptoj e kanë futur se do më lidhin mua me zinxhir pasi dogjën palmën të Kryeministria. Nuk shoh një skuadër që është futur për të fituar ndeshjen, por që në fushë të futen lojtarët që të mos i mbetet hatrit, ne jemi futur për të fituar ndeshjen, duke pasur të qartë objektin qark për qark që të kualifikohemi për të vazhduar për para”, tha Rama.