Këshilltarja e kryeministrit në largim të Kosovës Ramush Haradinaj, Meliza Haradinaj iu përgjigj kryeministrit Rama, pasi ky i fundit deklaroi se do të padiste Haradinajn për shpifje.
Nëpërmjet një statusi në profilin e saj, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, zbulon prapaskenat e Samitit të Berlinit, ku sipas saj, kreu i qeverisë së Shqipërisë Edi Rama iu bashkua pa ftesë tryezës me kancelaren Merkel, presidentin Macron bashkë me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë.
Mesazhi i Meliza Haradinajt drejtuar Edi Ramës:
JA E VËRTETA E RAMËS
Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë.
KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.
Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë.
Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhe pse me mbathje atraktive.
Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj, se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%.
E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!
Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate! Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!