Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi elektoral me gratë në Shkodër, u shpreh se Shkodra ka qenë Europa e Shqipërisë dhe sipas tij i takon Shkodrës dhe shkodranëve që në 11 Maj të marrin një vendim domethënës, duke votuar PS për integrimin në BE.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek zhvillimet infrastrukturore në Shkodër, teksa u shpreh se sot të gjitha akset e këtij qyteti janë ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër.
“Sot për herë të parë kur hyra në Shkodër nuk u ndjeva sikur po hyj në Kandahar. Nuk është vetëm Shkodra, por unë jam i fiksuar me Shkodrën sepse këtu e kam pasur kunjën, dhe duke qenë se kam edhe gjyshen nga Shkodra më vinte plasja dhe thoja që ça kanë me mua këto. Sot Shkodra jo vetëm ka shpresë, por shpresoj që Shkodra ka hyrë në një rrugë pa kthim, por duke ju parë ju këtu besoj se gjysmën e burrave në Shkodër i kemi në rregull.
Po të shkojmë jashtë Shkodrës kemi shumë për të treguar. Sot të gjitha akset e saj janë ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër. Nuk ka asnjë aks strategjik që mos jetë, dhe horizonti është hapur për ata që e kanë lënë Shkodrën vite më parë dhe që duan të kthehen dhe të ndezin oxhakun e shtëpisë së gjyshërve.
Duke qenë se Shkodra ka qenë njëherë e një kohë Europa e Shqipërisë, i takon Shkodrës që në 11 Maj të marrë një vendim domethënës jo për mua, as për PS, por për historinë e vetë. I takon Shkodrës që mundësinë historike që kemi sot për BE ta rroki dhe të mos shohë majtas apo djathtas, por vetëm drejtë, sepse ne jemi sot forca e duhur në vendin dhe kohën e duhur”, tha Rama.
Kryeministri thekson se me futjen në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk është më kjo që është tani, por do të jetë një Shqipëri totalisht e re.
“Shkodra duhet të zgjedhë të ardhmen në 11 Maj, pasi në momentin që Shqipëria anëtarësohet në BE nuk është më kjo Shqipëri, por është një Shqipëri e re”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se ishte puna e vajzave dhe grave që Partia Socialiste mori mandatin në këtë qark, për të bërë shndërrime sipas tij, që opozita më parë nuk i ka bërë. Kreu i qeverisë madje e quajti “konspiracion”, punën e bërë prej grave që të votohet për Partinë Socialiste e jo për atë Demokrate, kjo e fundit për të cilën Shkodra shquhej për votat më të shumta në Shkodër.
Nuk vonoi shumë që dhe këtë herë, punën e bërë prej opozitës ta quajë kënetë, ashtu si herë të tjera, e sakaq Rama shtoi se vetëm në 2 vite, në Shkodër janë bërë punime më shumë se sa në vitet e mëparshme të PD-së.
“Këtu në Shkodër gjithë kjo ka një domethënie shumë të veçantë. Sepse sot, fatmirësisht, falë jush e shumicës qytetare të Shkodrës, unë nuk jam më në pozitën që të vij këtu, siç kam ardhur shumë herë, duke ju lutur aman mo aman, ma besoni njëherë të vetme këtë punë dhe t’ju tregoj se çfarë ndodh, e pastaj gjykojeni vetë. Po një herë mo. Sa herë ja besuat kënetës, zhytu më thellë, e voto më shumë kënetën.
Dashte Zoti i madh, falë jush, se unë e di që ka qenë një konspiracion i juaj që i keni bërë burrat që hajde një herë, të shkojmë ta provojmë këtë rrugë tjetër se vdiqëm duke përsëritur të njëjtën gjë. Ne sot, kemi mundësinë të tregojmë të gjithëve, që në 2 vjet, ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku.
Madje, akoma më keq për ata, sepse në 2 vjet, ne kemi ndërtuar sa kemi mundur, por s’kemi bërë asnjë dëm. Ndërkohë që gjithë vitet e mëparshme, ata kanë ndërtuar noc rrokun dhe kanë bërë vetëm dëme”, tha Rama.