Kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ka uruar ndjekësit e tij me një artikull kushtuar Shqipërisë.
Kreu i qeverisë ka publikuar artikullin e kompanisë angleze të sigurimeve “Carole Nash”, duke nënvizuar faktin se Shqipëria cilësohet si vend europian.
MIRËMËNGJES
dhe me këtë artikull të medias angleze mbi Shqipërinë turistike që e kategorizon vizitën në vendin tonë si udhëtimin europian të muajit, ju uroj një ditë të mbarë
Nga: “Carole Nash”
Të shkosh në një udhëtim është mënyra ideale për të pastruar mendjen tuaj dhe Evropa ofron për ju shumë vende të bukura për të eksploruar. Një vend që ia vlen të vizitohet është Shqipëria, sepse ka shumë vende të mrekullueshme për të parë, shkruhet në një artikull të kompanisë angleze të sigurimeve “Carole Nash”. Me plazhe të bukura, qytete historike dhe peizazh të mrekullueshëm, Shqipëria ia vlen të vizitohet. Po rendisim disa nga qytetet më të mira në vend, shkruan ata.
TIRANA
Niseni udhëtimin tuaj në kryeqytetin e Shqipërisë, Tirana, që është një qendër kulturore e lulëzuar. Ndërsa jeni në qytet, duhet të vizitoni Sheshin Skënderbej, i cili përmban Kullën e Sahatit dhe Muzeun Historik Kombëtar. Ju do të jeni në gjendje të hipni në majë të Kullës së Sahatit dhe të merrni pamje të mahnitshme të të gjithë qytetit. Nëse doni të gjeni ushqim të mirë, atëherë kaloni në lagjen Blloku që ka disa nga restorantet më të mira në qytet. Arkitektura në të gjithë Tiranën është mahnitëse, kështu që do të keni shumë mundësi për të bërë fotografi.
MALI I DAJTIT
Shkoni jashtë qytetit në malin e Dajtit dhe do të keni një pamje spektakolare të Tiranës dhe më gjerë. Mund të arrini majën e malit duke marrë teleferikun Dajti Ekspres. Ekziston mundësia për të parë të gjitha llojet e kafshëve të egra, nga ujqërit tek macet e egra. Bukuria natyrore e malit të Dajtit e bën atë një nga vendet më piktoreske të Shqipërisë.
DURRËS
I ndodhur 21 kilometra në perëndim të Tiranës, Durrësi është një qytet i lashtë, që ka portin kryesor të Shqipërisë. Durrësi ka plazhe të njohura që gjallërohen gjatë muajve të ngrohtë, duke e bërë verën kohën ideale për ta vizituar. Larg nga deti, ka vende të tjera të vlefshme për tu vizituar, si Muzeu Arkeologjik i Durrësit. Ai përmban objekte nga Greqia e Lashtë dhe Roma.
BERAT
I njohur si ‘Qyteti i një mijë dritareve’, Berati është një tjetër qytet i lashtë që ia vlen të vizitohet për trashëgiminë e tij. Berati merr nofkën e tij nga shtëpitë e vjetra me shumë dritare. Duhet të shikoni Kalanë, një fortesë brenda qytetit që luajti një rol të rëndësishëm në historinë ushtarake të Shqipërisë. Ka edhe lagjet e vjetra të Mangalemit dhe Goricës, me shtëpitë e tyre të bardha prej guri dhe pllakat e terrakotës. Lagjet lidhen me urën e Goricës, e cila është e mbushur me folklor.
GJIROKASTËR
Gjirokastra është si një përrallë, siç shihet nga arkitektura e saj e çuditshme e gurit. Një vend që dallon është Kalaja e Gjirokastrës, e cila mbikëqyrë qytetin. Çdo pesë vjet kalaja përdoret për Festivalin Folklorik Kombëtar për të festuar kulturën shqiptare. Ka muzikë tradicionale dhe kërcim, që jep një pasqyrë të historisë së vendit.
(ed.me/BalkanWeb)