Kryeministri Edi Rama ka prishur planet e presidentit Ilir Meta dhe opozitës për tubime apo për zgjedhjet e parakohshme. Para tërmetit të 26 nëntorit, presidenti Ilir Meta paralajmëroi se do të zbriste në shesh kundër qeverisë.
Ndërsa krerët e opozitës së bashkuar, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u kishin premtuar militantëve se në pranverë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por duket se shpresat e presidentit dhe opozitës janë venitur. Qeveria i ka kërkuar Kuvendit të zgjasë deri në mars gjendjen e jashtëzakonshme për shkak se duhet ende shumë punë për të rehabilituar zonat e prekura nga tërmeti. Por, sipas ligjit dhe Kushtetutës, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të ketë zgjedhje. Kjo do të thotë se PD dhe LSI do të duhet të presin edhe 3 muaj të tjerë për të rinisur betejën me qeverinë. Komisioni i Sigurisë në mbledhjen e djeshme e miratoi kërkesën dhe ajo pritet të votohet të enjten në seancë plenare.
Argumentet
Gazeta ka siguruar kërkesën e kryeministrit drejtuar Kuvendit. Sipas tij, situata e krijuar në vend do kohë të rregullohet, duke sjellë statistika lidhur me banesat e shkatërruara, ku shumë njerëz kanë mbetur të pastrehë. Në argumentimin e bërë nga kryeministri, shumë qytetarë janë strehuar nëpër hotele, qendra sociale, por edhe në familje të cilët dolën garant.
Kryeministri Rama në kërkesën drejtuar Kuvendit bën të ditur se për një hark kohor prej 14 ditësh, tërmetet nuk u “ndanë” nga vendi ynë, duke shënuar plot 1775 lëkundje. “Qarqet më të dëmtuara: Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Qarqet e tjera: Dibër, Kukës, Fier, Elbasan, Berat. 51 persona që kanë humbur jetën; Banesa të dëmtuara rëndë Tiranë, Durrës: 2002; Banesa të dëmtuara lehtë Tiranë, Durrës: 4380; Pallate të dëmtuara rëndë Tiranë, Durrës: 135; Pallate të dëmtuara lehtë Tiranë, Durrës: 543; Pallate të pabanueshme Tiranë, Durrës: 60; Qarku Lezhë: Pallate të dëmtuara rëndë: 66; Apartamente të dëmtuara rëndë: 1353; Dëmtime të mesme: 559; Dëmtime të lehta: 1 297; Të evakuuar: 3224; Hotele: 1 961 persona; çadra: 964; Qendra sociale: 867; Familje: 2 525”, argumenton kryeministri i vendit. Më tej, bëhet e ditur se në rastin e gjendjes se fatkeqësisë natyrore, shpallja e gjendjes kryhet me vendim të Këshillit të Ministrave, për një afat 30-ditor dhe zgjatja e saj kryhet po nga Këshilli i Ministrave, me pëlqimin e Kuvendit.
“Ligji i mbrojtjes civile parashikon se gjendja e fatkeqësisë natyrore kalon në disa faza, të cilat fillojnë me ndodhjen e fatkeqësisë natyrore, vijon me fazat e kërkim-shpëtimit, verifikimin e pasojave dhe fazën finale të rregullimit të pasojave nëpërmjet rindërtimit. Duke pasur parasysh se gjatë 30 ditëve të para pas tërmetit përfundoi faza e kërkim-shpëtimit dhe filloi faza e verifikimit, përfundimi i fazës së verifikimit, hartimi dhe zbatimi i masave afatshkurtra të rregullimit të pasojave me qëllim sigurimin e jetës dhe të shëndetit të individëve është baza e nevojës për zgjatje të afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë.
Duke pasur parasysh se lëkundjet e tërmetit ndonëse me frekuencë dhe intensitet më të ulët, vazhdojnë të ndihen në qarqet e përmendura, veprimtaria e strukturave operacionale dhe nevoja e marrjes së masave në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore është emergjente”, thuhet në kërkesë. /Ornela Çelpica