Përmes një video-mesazhi, Rama u shpreh se kërkesa prokurorisë për heqjen e imunitetit të Ahmetaj, duhej miratuar, pasi pa dosjen voluminoze të punës së kryer nga organi i akuzës.
Në fakt, kjo është një metodë e vjetër e dallaverexhinjëve të prokurorive shqiptare. Metoda e dosjeve me qindra e deri mijëra faqe bëhet me një qëllim të paracaktuar, që të mos t’i lexoj askush, as gjyqtar e as avokat, ose të mos bëjnë të mundur lidhjen e fakteve dhe provave me njëra tjetrën, kur në shumicën e rasteve as që ekzistojnë, por sajohen me fantazi sikur të ishin hartim nxënësish.
Kjo intriga ka funksionuar edhe për analfabetët funksional në fushën e drejtësisë me në krye kryeministrin, të cilët kanë krijuar bindjen se qenka bërë një punë voluminoze dhe zullumi qenka i madh, pa arritur as t’i lexojnë dhe as t’i kuptojnë çfarë shkruhet.
Vetëm tabulatet nga viti 2012 deri 2023 ishin rreth 36 mijë! Imagjinoni sa fletë mbushen dhe kjo është dosja voluminoze që ka bindur ronxhobonxhot e Kuvendit.
“Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor ose i pafajshëm, por ndryshe nga rasti i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm, ishte një rast ku kërkesa e prokurorisë duhej miratuar, pa asnjë dyshim, sepse ndryshe nga atëherë, kur prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu para dosja e një pune voluminoze hetimore, në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin.
Këtu mbyllet çdo koment i imi në rastin konkret. Tanimë, është në dorën e drejtësisë, të na e tregojë deri në fund, nëse është një rast fajësie, apo një rast pafajësie”, theksoi ai./Ekskluzive.al