Një tjetër revolucion paralajmëroi sot kryeministri Edi Rama sa i takon aplikimeve të qytetarëve për dokumente shteti për shërbime të ndryshme. Rama tha se duke nisur nga vitit i ardhshëm do të mbyllet një pjesë e mirë e sporteleve, ndërsa shërbimet do të kalojnë on linë, duke shmangur kështu varavingot e radhët në pritje të qytetarëve sipas tij.
Mbyllja e sporteleve, tha Rama do të jetë edhe si një masë në luftën ndaj korrupsionit në këtë fushë.
“Duke qënë se e nisëm me 3 shërbime online dhe sot kemi mbi 350 shërbime on line kemi edhe fuqinë gjithnjë e më të rritur të kapaciteteve të platformës, ka ardhur koha të bëjmë një hap të madh para dhe të nisim nga viti i ardhshëm në heqjen e të gjitha letrave dosjeve, dokumentave, për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%, dmth duke nisur nga viti i ardhshëm hyjmë në një fazë revolucioni që ka nisur në disa drejtime me shërbimet, po kjo fazë do të jetë një përmbysje e madhe, shumë shërbime nuk do të jepen më duke i kërkuar qytetarit të vijë në sportel, duke bërë varavingo, por duke i dhënë mundësinë të aplikojë on line.
Të mos harxhojë asnjë minut asnjë lekë për të marr një shërbim që i takon por nga telefoni nga kompjuteri, mjafton të gjejë një fëmijë nga 6-10 vjec komshi ia bën fëmija, do të heqim kërkesën për qytetarët që të sjellin dokumenta shtetërore. do të thotë që nëse bën një kërkesë e të duhen 20 dokumenta, nga këto 3 janë privat. Dokumenta që janë shtetërorë, do ti kërkojnë e do t’i gjejnë për qytetarin ata që rrinë te sporteli e janë mësuar ti thonë qytetarit .. po këtë, shko. Brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm do mbyllim sportelet në masë të madhe, për aplikimet. Ka shumë shërbime që mund të merren në telefon të plota.