Kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev konfirmuan dje përmes një deklarate të përbashkët se, duan të shohim sa më shpejt të jetë e mundur se katër liritë e BE-së: lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – zbatohen në të gjithë rajonin.
“Ne u takuam sot për të diskutuar hapat e mëtejshëm përpara në bashkëpunimin tonë rajonal, si një instrument me rëndësi jetike për vendet tona, për Ballkanin Perëndimor, për Europën dhe perspektivën europiane në tërësi. Vendet tona janë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e Europës. Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian, po aq sa Bashkimi Europian ka nevojë për të”, thuhet në këtë deklaratë.
Sipas tyre, dështimi i përsëritur i BE-së për të përmbushur premtimet e saj dhe paaftësia për të ecur përpara me hapjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është kundër vullnetit europian të vendeve tona. “Historia dhe e ardhmja jonë janë europiane dhe ne jetojmë në një rajon të rrethuar nga kufijtë e Bashkimit Europian.
Në kontekstin sfidues të krijuar nga një status quo tashmë e gjatë e Bashkimit Europian kundrejt procesit tonë të integrimit në BE, ne mbetemi edhe më të përkushtuar në rrugën tonë të BE-së dhe në bashkëpunimin tonë rajonal”, theksojnë tre liderët.
Tre liderët konfirmojnë se në 29 korrik, do të takohen fizikisht në Shkup për të shqyrtuar progresin dhe për të nënshkruar mes tre vendeve marrëveshje që zbatojnë angazhimet e Samitit të Berlinit, si marrëveshja për bashkëpunimin dhe ndihmën në rast të katastrofave natyrore dhe ajo për lehtësimin e tregtisë, eksporteve dhe importeve në vendet tona.
“Ne synojmë të zhvillojmë projekte të shpejta në zbatim dhe që sjellin investime, me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe rritjen e përdorimit në shkallë të gjerë të burimeve të ripërtërishme. Kjo do të ishte pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, thuhet më tej.