Një raport i publikuar së fundmi nga Komisioni Europian analizon jetën në 83 qytete të ndryshme europiane, mes të cilave edhe Tirana.
Raporti është kryer në formën e një ankete dhe zbulon detaje mjaft interesante, që nga niveli i kënaqësisë të banorëve të kryeqytetit me jetën e tyre, e deri te niveli i kriminalitetit, përdorimi i transportit publik, apo përdorimi i biçikletave.
Sa i përket nivelit të kënaqësisë me jetën në qytet, banorët e Tiranës janë ndër 10 vendet e fundit të Europës, me 70% të qytetarëve që shprehen të kënaqur.
Kjo normë rezulton të jetë më e lartë se në Stamboll, Athinë apo Palermo sa për të përmendur disa qytete të mëdha europiane.
Tirana ka gjithashtu një ndër normat më të ulta në Europë të pëlqimit të qytetarëve ndaj transportit publik, me më pak se 30% që aprovojnë.
Ndërkohë, vetëm 30% e të anketuarve shprehen se e përdorin transportin publik për të shkuar në punë.
Nga ana tjetër, Tirana rezulton të ketë ndër normat më të larta në Europë të përdorimit të biçikletës si mjet për të shkuar në punë, me rreth 17% të totalit.
Sa i përket pëlqimit të kryeqytetasve me jetën kulturore në vend, jemi të parafundit në Europë, me një normë pëlqimi në vetëm 53%, më mirë vetëm se Valleta në Maltë.
Ndër 10 vendet e fundit në Europë jemi edhe për hapësirat e gjelbërta, cilësinë e ajrit, nivelin e zhurmës, jetesën e fëmijëve, jetesën e të moshurave, apo korrupsionin në administratën publike lokale.
Rreth 77% e të anketuarve ndajnë mendimin se administrate lokale në qytet është e korruptuar.