Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit për zgjedhjet e parakohshme të caktuara më 9 Nëntor, pasi Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.
“Gjykata Kushtetuese vendosi njezëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 Tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë“, thuhet në vendim.
Vendimi i marrë sot (9 tetor) nga Kushtetuesja vjen pas depozitimit të kërkesës së Erion Veliajt për shfuqizimin dhe pezullimin e menjëhershëm të dekretit të presidentit.
Vendimi i sotëm i Kushtetueses i referohet vetëm zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera të vendit, Mat, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Vlorë do të mbahen më 9 nëntor, sipas dekretit të firmosur nga presidenti Bajram Begaj.