Reagon ambasadori amerikan Donald Lu pas vendimit të ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla për t’u larguar nga sistemi i drejtësisë.
Ambasadori Lu u shpreh për News24 se tërheqja nga sistemi i drejtësisë nuk shfajëson askënd. Sipas Lu kush ka frikë nga vetingu, duhet të frikësohet edhe nga hetimet. Sakaq, shtoi se ikja e të korruptuarve dhe largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të paaftë, është një fitore për drejtësinë shqiptare.
“Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar e të paaftë, është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”, tha ambasadori Lu.
Kryediplomati amerikan në vendin tonë heq dyshimet nëse pas tërheqjes nga sistemi do t’i nënshtrohet ose jo procesit të vetting-ut.
“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, -theksoi ambasadori.